Komuna e Junikut ka shprehur shqetësim lidhur me incidentin e raportuar sot në media, ku një grup alpinistësh, gjatë rrugëtimit drejt Gjeravicës, në afërsi të zonës së njohur si “Liqeni i Zemrës”, dyshohet se janë penguar dhe kërcënuar nga një person i pranishëm në atë zonë.
Komuna ka sqaruar se, ndonëse ngjarja ka ndodhur brenda territorit administrativ të Junikut, personi i përfshirë, sipas informatave të deritanishme, nuk është banor i kësaj komune.
Për këtë arsye, institucionet kompetente janë ftuar ta trajtojnë rastin dhe t’i sqarojnë rrethanat e ngjarjes në përputhje me ligjin.
Reagimi i plotë:
Komuna shpreh shqetësim lidhur me incidentin e raportuar në bjeshkët tona
Komuna e Junikut shpreh shqetësimin lidhur me incidentin e raportuar sot në media, ku një grup alpinistësh, gjatë rrugëtimit të tyre drejt Gjeravicës, në afërsi të zonës së njohur si “Liqeni i Zemrës”, dyshohet se janë penguar dhe kërcënuar nga një person i pranishëm në atë zonë.
Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë të opinionit publik, sqarojmë se, ndonëse ngjarja e raportuar ka ndodhur brenda territorit administrativ të Komunës së Junikut, personi i përfshirë, sipas informatave të deritanishme, nuk është banor i Komunës së Junikut. Për këtë arsye, ftojmë organet kompetente të rendit që ta trajtojnë rastin dhe t’i sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes, në përputhje me ligjin. Përgjegjësia për çdo veprim të kundërligjshëm është individuale dhe nuk mund t’i atribuohet komunitetit apo qytetarëve të Junikut.
Komuna e Junikut thekson se turizmi malor përbën një nga potencialet kryesore të zhvillimit ekonomik dhe promovimit të vlerave natyrore të trevës sonë. Mikpritja, respekti dhe bashkëjetesa me vizitorët janë vlera të trashëguara ndër breza dhe pjesë e rëndësishme e identitetit të Junikut.
Në këtë drejtim, Komuna e Junikut i fton të gjithë alpinistët, vizitorët dhe dashamirët e natyrës që të vazhdojnë t’i vizitojnë bjeshkët e Junikut. Institucionet lokale mbeten të përkushtuara që çdo vizitor të ndihet i mirëpritur, i respektuar dhe i sigurt gjatë qëndrimit në territorin e komunës sonë.
Juniku ka qenë dhe mbetet derë e hapur për çdo dashamir të natyrës

