Sot shënohet dita e 120-të e protestës qytetare kundër investimit në Zvërnec.
Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë.
Pas mbërritjes përpara godinës së ekzekutivit, protestuesit mbajtën fjalime, ku shprehën shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë, ndërsa vijuan me artikulimin e kërkesave për largimin e asaj që e cilësojnë si “kastë e vjetër politike”.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama nga detyra. Në platformën e tyre përfshihet edhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila, sipas tyre, do të përgatiste vendin për zgjedhjet e ardhshme.
Qytetarët theskuan se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e disa nismave ligjore, të cilat, sipas tyre, dëmtojnë interesat e qytetarëve shqiptarë, duke nisur nga ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi në vitin 2024, te ligji për zonat e mbrojtura, si dhe shfuqizimin e të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”.
Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim dhe se nuk do të ketë tërheqje deri në plotësimin e kërkesave të tyre

