Table of Contents
Rasti i Ante Gotovinës po përmendet si pikë reference për apelin e Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, ndonëse ekspertët thonë se mes tyre ka dallime thelbësore. Në rastin Gotovina, mbrojtja arriti të rrëzonte një hallkë kyç të aktgjykimit, duke çuar në përmbysjen e dënimit dhe shpalljen e tij të pafajshëm në apel. Avokatët dhe ekspertët që punuan në rastin Gotovina, thonë se një apel kërkon shqyrtim të aktgjykimit “hallkë pas hallke”, ekipe të specializuara dhe resurse të mjaftueshme për të identifikuar gabime në prova ose në arsyetimin juridik.
Pas dënimitpër krime lufte të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, “rasti Ante Gotovina” nisi të përmendej nga avokatë, komentues dhe media në Kosovë si pikë reference për fazën e apelit.
Në pamje të parë, ngjashmëritë janë të dukshme.
Edhe ish-gjenerali kroat mori një dënim të rëndë në shkallën e parë, përpara se Dhoma e Apelit ta shpallte të pafajshëm. Edhe aktgjykimet, në të dyja rastet, u pritën me kundërshtime dhe protesta.
Por, ajo që e çoi Gotovinën nga dënimi te pafajësia ishte një betejë juridike mbi vetë aktgjykimin.
Dhe, në qendër të saj ishte një pyetje shumë konkrete: Ku ishte hallka e dobët?
Nga 24 vjet burgim në pafajësi
Më 15 prill të vitit 2011, Ante Gotovina dëgjoi në Tribunalin e Hagës dënimin prej 24 vjetësh burgim.
Ai u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës, lidhur me Operacionin “Stuhia” të vitit 1995.

Gjykata konstatoi se Gotovina dhe gjenerali Mlladen Markaç kishin marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin e përhershëm dhe me forcë të popullsisë serbe nga Krajina.
Markaç u dënua me 18 vjet burgim. I akuzuari i tretë, Ivan Çermak, u shpall i pafajshëm.
Aktgjykimi nxiti zemërim dhe mosbesim në Kroaci, ku dy gjeneralët shiheshin gjerësisht si heronj të luftës për pavarësi.
“Vendim pa prova, thjesht politik”, thoshte atëkohë Danica Kriviq, një pensioniste nga Zagrebi.
Por, beteja që do ta ndryshonte rezultatin nuk do të zhvillohej në rrugët e kryeqytetit kroat. Ajo do të zhvillohej brenda vetë aktgjykimit.
“Standardi i 200 metrave”
Kur mbrojtja doli para Dhomës së Apelit, në maj të vitit 2012, ajo u përqendrua te një element shumë konkret: i ashtuquajturi “standard i 200 metrave”.
Në shkallën e parë, gjykatësit e kishin përdorur këtë distancë për të vlerësuar sulmet me artileri në Krajinë.
Goditjet që binin më shumë se 200 metra nga një objektiv i identifikuar ushtarak, ishin përdorur si dëshmi të sulmeve të paligjshme.
Payam Akhavan, atëherë pjesë e ekipit mbrojtës të Gotovinës, thotë se pikërisht aty ndodhej një prej dobësive vendimtare të aktgjykimit.
Sipas tij, kufiri prej 200 metrash nuk mbështetej në prova, por ishte bërë hallkë kyç në arsyetimin që i lidhte sulmet me ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
“Ishte fiks ajo premisë e gabuar që u bë baza e gjithë teorisë së ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Por, e gjithë çështja ishte si një shtëpi prej letrash dhe sapo u hoq letra e ‘200 metrave’, u shemb e gjithë struktura. Për fat, gjithçka përfundoi mirë. Dhoma e Apelit pranoi se një trup gjykues nuk mund thjesht të shpikë prova”, thotë Akhavan për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Dhoma e Apelit ishte unanime se standardi prej 200 metrash ishte përdorur gabimisht.
Por, për pasojat e këtij gabimi, gjyqtarët u ndanë.
Me tri vota kundër dy, shumica arriti në përfundimin se, pa atë standard, nuk qëndronte konstatimi për sulmet e paligjshme me artileri. Kështu ra edhe konstatimi për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
Më 16 nëntor 2012, dënimet u përmbysën dhe Gotovina dhe Markaç u shpallën të pafajshëm.
“Kjo është fitorja jonë e përbashkët. Në luftë kishim ‘Stuhinë’, e kjo ishte ‘stuhia’ jonë ligjore. Fituam dhe u përmbyll gjithçka”, tha Gotovina pas vendimit.
Aktgjykimi, hallkë pas hallke
Pas asaj që Gotovina e quajti “fitore”, ishin muaj të tërë përgatitjesh për ta zbërthyer aktgjykimin dhe për të gjetur pikën ku mund të sfidohej.
Akhavan thotë se kjo kërkonte që provat dhe ligji të shiheshin nga një perspektivë e re.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që provat dhe ligji të shihen me një sy të ri. Të shqyrtohet hallkë pas hallke zinxhiri i provave dhe arsyetimi juridik, mbi të cilin është mbështetur konstatimi për ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, thotë ai.
Në praktikë, ta shihje çështjen me “sy të ri” nënkuptonte edhe zgjerimin e ekipit.
Tomisllav Kuzmanoviq, atëherë pjesë e mbrojtjes së Markaçit, thotë se për apel u angazhuan edhe dy juristë të rinj – Kai Ambos dhe John Jones – për ta analizuar aktgjykimin nga një kënd tjetër.
Ekipet e Gotovinës dhe Markaçit, ndërkohë, bashkërendonin strategjinë aty ku interesat e tyre takoheshin.
“Më kujtohet ende biseda që bëra me [avokatin e Gotovinës] Lluka Mishetiq pas vendimit të shkallës së parë, për të ashtuquajturin standard prej 200 metrash, që ishte shfaqur nga askund. E kuptuam menjëherë se pikërisht aty duhej ta nisnim apelin. Kishim çështje të përbashkëta në mbrojtje, por secili ekip kishte qasjen e vet. Secili i sfidonte gjetjet e gjykatës në mënyrën e vet, por qasjet tona plotësonin njëra-tjetrën”, kujton Kuzmanoviq për Exposenë.
Argumenti nuk mbeti vetëm në duart e juristëve.
Mbrojtja kërkoi ta testonte standardin prej 200 metrash edhe nga pikëpamja ushtarake. Një prej ekspertëve të angazhuar ishte Geoffrey Corn.
“Nga pikëpamja ushtarake, ky standard ishte arbitrar. Nuk ekziston ndonjë rregull ushtarak, sipas të cilit çdo goditje që bie jashtë një distance të caktuar nga objektivi, konsiderohet automatikisht e paligjshme”, thotë Corn, tani në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Teksasit, për Exposenë

