Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu e ka cilësuar si alarmante numrin e lejeve të qëndrimit që kosovarët kanë marrë në shtetet evropiane, viteve të fundit.
Sipas shifrave të fundit, vetëm gjatë vitit 2025, 43.747 leje qëndrimi janë dhënë për kosovarët nga shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Për këtë, Gërxhaliu ka thënë se një gjë e tillë nuk është thjeshtë një statistikë migrimi, por një sinjal serioz për të ardhmen e Kosovës.
“Ekonomikisht, vendi humb fuqi punëtore, profesionistë, konsumatorë dhe potencial për investime e zhvillim. Në aspektin social, largimi i familjeve dhe të rinjve dobëson komunitetet, përshpejton plakjen e popullsisë dhe krijon boshllëqe të reja demografike. Në perspektivë, rreziku është edhe më i madh: një Kosovë me më pak njerëz në moshë pune, më pak lindje, më shumë varësi sociale dhe me kapitalin njerëzor që ndërton ekonomitë e vendeve të tjera.”, ka shkruar ai.
Sipas tij, nëse emigrimi po bëhet rruga kryesore për një jetë më të mirë, atëherë sipas tij, problemi nuk është vetëm se po largohen njerëzit, “por se çfarë e ardhmeje po mbetet pas tyre”.

