Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku foli për zhvillimet në Kosovë dhe dënimet e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Berisha u ndal fillimisht te zgjedhjet e përsëritura në Kosovë, duke deklaruar se ato janë zhvilluar në përputhje me parimet ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare. Sipas tij, shpeshtësia e zgjedhjeve për shkak të procedurës së zgjedhjes së Presidentit duhet të shmanget, ndërsa kërkoi asistencën e Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias për gjetjen e një mënyre më të zbatueshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Duke iu referuar dënimeve të ish-drejtuesve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Berisha tha se ato kanë shkaktuar protesta në Prishtinë, ndërsa theksoi se zemërimi publik lidhet, sipas tij, me krahasimet me raste të tjera dhe me mungesën e provave të qarta për krime konkrete.
Berisha kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, janë zhvilluar proceset gjyqësore në Hagë, duke pretenduar se ndjekja penale ka prekur vetëm njërën palë të konfliktit.
“Së fundmi, dënimet e dhëna nga gjykata e Kosovës në Hagë kanë ndjekur, në mënyrë befasuese, linja të qarta etnike. Në kundërshtim me statutin e saj, gjykata ka ndjekur penalisht vetëm palën e viktimës dhe jo agresorin. Prandaj, le të shpresojmë që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë çështjet e tyre në mënyrë më objektive”, deklaroi Berisha.
Në vijim, kreu i PD-së foli edhe për Ratko Mlladiç dhe Serbinë, duke dënuar varrimin me nderime shtetërore të ish-komandantit serb të Bosnjës.
“Varrimi me nderime shtetërore i kasapit të Bosnjës, orkestruesit të gjenocidit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore në Srebrenicë, ishte një ekzekutim i dytë, 31 vjet më vonë, i 8500 djemve dhe burrave, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre fetare dhe etnike”, tha Berisha.
Ai e cilësoi këtë si “një fyerje të rëndë për të gjithë njerëzimin” dhe e lidhi qëndrimin e Beogradit dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, me zhvillimet zgjedhore në Serbi.
“Kjo është një fyerje e rëndë për të gjithë njerëzimin, një qëndrim i Beogradit dhe i z. Aleksandar Vuçiç, i cili kërkon të fitojë zgjedhjet me fantazmën e z. Ratko Mlladiç”, u shpreh Berisha

