Dy ish-ministra të kabineteve qeveritare të Viktor Orbanit janë arrestuar në Hungari nën dyshimet për korrupsion, marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të miliona eurove nga fondet publike.
Aksioni i autoriteteve erdhi vetëm pak orë pasi parlamenti hungarez votoi pro heqjes së imunitetit të tyre parlamentar, duke i hapur rrugë ndjekjes penale.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë hungareze, në pranga ka përfunduar Balazs Hanko, ish-ministër i Kulturës dhe aktualisht deputet i partisë Fidesz, raporton The Guardian,
Ai dyshohet se ka orkestruar keqpërdorimin e rreth 17.3 miliardë forintëve (afërsisht 47 milionë euro) nga Fondi Kombëtar i Kulturës, shumë kjo që pretendohet se u transferua te organizata e artistë të lidhur me Fidesz-in, si dhe për financimin e fushatës zgjedhore, Hanko i ka mohuar akuzat, duke e cilësuar procesin si një “gjyq politik”.
I arrestuari i dytë është Miklos Sesztak, deputet i KDNP-së (parti aleate e Fidesz-it) dhe ish-ministër për Zhvillim Kombëtar gjatë periudhës 2014–2018. Sesztak po hetohet nën dyshimet se ka përfituar mbi 12 miliardë forintë (rreth 32.6 milionë euro) në formë ryshfeti dhe komisionesh të paligjshme, të lidhura me tenderët e kompanisë shtetërore të autobusëve dhe projekteve infrastrukturore publike. Edhe Sesztak ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë.
Në të njëjtën seancë plenare, parlamenti votoi edhe për heqjen e imunitetit të kryeministrit aktual, Peter Magyar, me kërkesë të vetë këtij të fundit, për t’iu përgjigjur akuzave që i konsideron sulme politike.
Këto masa shënojnë arrestimet e para të niveleve kaq të larta nga rrethi i ish-qeverisë së Orbanit. Paralelisht, Zyra e re për Mbrojtjen dhe Rikuperimin e Pasurive ka bërë të ditur nisjen e katër hetimeve të tjera të mëdha, të cilat përfshijnë abuzime me lejet e qëndrimit për punësim, shpenzime të dyshimta në nivel lokal, investime publike që lidhen me oligarkë të njohur, si dhe fonde propagande të shpenzuara nga struktura të shfuqizuara të ish-pushtetit

