Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur në “RTK Prime” për qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale dhe çështjen e presidentit. Ai ka thënë se Kosova po hyn në javën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit dhe se vendi rrezikon të përballet sërish me zgjedhje.
“Po kalojmë në javën e fundit të asaj që thuhet mundësia e dështimit të Kuvendit në zgjedhjen e presidentit të Republikës”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se moszbatimi i vullnetit të qytetarëve është më i rëndë sesa dështimi në një rast të veçantë.
“Moszbatimi i vullnetit të Sovranit është më i rëndë sesa dështimi, dështimi në një rast të veçantë”, ka deklaruar Haziri.
Duke folur për raportet mes partive politike lidhur me presidentin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Haziri ka thënë se raportet politike në Kosovë janë të kushtëzuara.
“Vetëvendosja ka deklaratë zyrtare, ka komunikim publik përkundër takimit të së dielës që ka ndodhur në mes liderëve të partive politike, thuhet: ‘Nëse e votoni presidentin, e mundësojmë ndryshimin e ligjit’. Dhe në anën tjetër, kjo është deklaratë zyrtare e Vetëvendosjes, dhe në anën tjetër deklarata dhe qëndrimi zyrtar i PDK-së është: ‘Nëse e ndryshoni ligjin për Dhomat e Specializuara, ne ia votojmë presidentin’. Praktikisht, i komunikojnë në marrëdhënie të kushtëzuara”, ka thënë Haziri.
“Nuk është kjo hapje për të diskutuar një çështje. Kjo është marrëdhënie e kushtëzuar për me zgjedhë një problem të rëndësishëm në këtë vend”, ka deklaruar ai.
Sa i përket qëndrimit të LDK-së për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Haziri ka thënë se, nga sa di ai, nuk është pranuar material për këtë çështje.
“Ne nuk kemi… unë të paktën unë, sa di unë e nga sa di unë, ne nuk kemi pranuar kurrfarë materiali të cilin kemi me i diskutuar për këtë çështje”, ka thënë Haziri.
Ai ka folur edhe për deklaratën e harmonizuar në Kuvend.
“Deklarata u harmonizua. Përfundimisht ka pasur qasje ndryshe, dallime të vogla në ato që ne i kemi diskutuar, por përfundimisht është arritur me u dakorduar, me u harmonizuar një deklaratë e përbashkët me shpreh vullnetin në emër të popullit të Kosovës për atë që është kërkuar nga Kuvendi”, ka thënë Haziri.
Haziri: Nuk kemi besuar që drejtësia vjen në formën e padrejtësive
Duke folur për drejtësinë dhe Dhomat e Specializuara, Haziri ka thënë se drejtësia është pritur për 26 vjet.
“Drejtësia që 26 vjet jemi duke e pritur… gjithë populli ynë, gjithë vendi ynë. Por nuk kemi besuar që drejtësia vjen në formën e padrejtësive”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka thënë se Kosova ka provuar të vendosë drejtësi përmes administratës së OKB-së, EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës.
“Është provuar me vendosë drejtësi përmes administratës së OKB-së, me institucionet e përkohshme në atë kohë të Kosovës, më vonë në gjendjen e pas deklarimit të pavarësisë është menduar përmes EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës me vendosë, nuk është arritur. Përfundimisht Kosova i ka themeluar Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.
Haziri ka thënë se populli i Kosovës ka të drejtë të shprehë pakënaqësi.
“Mendoj që i jep të drejtë popullit të Kosovës me shpreh pakënaqësi, por mos harroni se aktakuzën apo akuzën e ka ngritur prokuroria në emër të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka thënë se Kosova nuk ka pasur mundësi ta zgjedhë mënyrën se si do të vendosej drejtësia pas luftës.
“Nuk është edhe nuk ka qenë e mundur që Kosova me zgjedhë mënyrën se si ka me vendosë drejtësi pas luftës në Kosovë”, ka thënë Haziri.
“Nuk guxojmë me lejuar humbjen e empatisë për viktimat”, ka shtuar ai.
Duke folur për vendimet e shkallës së parë, Haziri ka thënë se bëhet fjalë për katër dënime ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Po flasim për 4 dënime në shkallën e parë që i dhanë ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haziri në “RTK Prime”.

