Po vijojnë diskutimet në Kuvend për reformën territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive në të gjithë vendin. Seanca plenare po vijon prej disa orësh teksa u regjisitruan incidente gjatë protestave jashtë sallës së Parlamentit.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Vullnet Sinaj mësohet se ka ndryshuar qëndrim dhe ka votuar pro reformës, ndërsa mbetet për t’u parë qëndrimi që do të mbajë Erion Braçe gjatë votimit në Kuvend.
Opozita e ka kundërshtuar draftin e PS-së, duke e akuzuar shumicën se po e kalon reformën në mënyrë të njëanshme dhe se ajo rrezikon të ndikojë në shpopullimin e vendit. Jashtë Parlamentit janë mbledhur edhe protestuesit e “Revolucionit Flamingo”.
Në vijim do të zhvillohen dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Po ashtu, Tedi Blushi ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu disa projektligje që lidhen me integrimin europian, sistemin financiar dhe mbrojtjen e mjedisit.
Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, si dhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.
Në rendin e ditës janë edhe ndryshimet në ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë dhe në ligjin për sistemin e pagesave, si dhe ndryshime në legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit, treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale, markat tregtare, patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektvendimi për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së shoqërisë shtetërore KAYO sh.a., lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake

