Manchester City po përballet me njërin nga momentet më të vështira në historinë e klubit, pasi tashmë ekziston mundësia reale që “Citizens” të përfundojnë jashtë Premierligës.
Klubi anglez është shpallur fajtor për 114 nga 115 akuzat lidhur me shkeljet e rregullave financiare të Premierligës.
Bëhet fjalë për shkelje që lidhen me periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2018, ndërsa sipas akuzave, në këtë periudhë janë fryrë artificialisht të ardhurat e klubit me më shumë se 900 milionë funte.
Tani pritet vendimi përfundimtar mbi dënimin. Manchester City mund të përballet me një gjobë, një zbritje të konsiderueshme pikësh, kufizime të ndryshme apo edhe me përjashtim nga Premierliga.
Rreziku i rënies në Championship lidhet pikërisht me një penalizim të madh në pikë.
Nëse City do të humbte aq shumë pikë sa të përfundonte në zonën e rënies, atëherë do të zbriste në kategorinë e dytë të futbollit anglez.
Situata mund të jetë edhe më dramatike. Rregulloret lejojnë që, në një skenar ekstrem, klubi të përjashtohet nga Premierliga.
Në këtë rast, nuk do të bëhej fjalë thjesht për një rënie sportive në Championship, pasi rikthimi në sistemin e ligave angleze do të kërkonte një vendim të veçantë nga strukturat përkatëse.
“Citizens” e kanë kundërshtuar vendimin dhe kanë deklaruar se janë të zhgënjyer dhe të befasuar nga përfundimet e komisionit, duke këmbëngulur se janë të pafajshëm.
Klubi ka paralajmëruar se do të ankohet ndaj këtij vendimi.
Ndërkohë, klubet rivale të Premierligës janë duke e ndjekur me shumë vëmendje situatën, ndërsa disa prej tyre po e shqyrtojnë edhe mundësinë e veprimeve ligjore për dëmet që pretendojnë se i kanë pësuar.

