Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga përplasja e dy trenave në jug të Spanjës. Sipas Gardës Civile spanjolle, ky është aksidenti më i rëndë hekurudhor në vend në më shumë se një dekadë.
Aksidenti ndodhi të dielën në mbrëmje, në Adamuz, pranë qytetit të Kordobës, kur një tren që po udhëtonte nga Madridi drejt jugut doli nga shinat dhe kaloi në binarët e kundërt, ku u përplas me një tren që po vinte në drejtim të kundërt, raporton BBC.
Sipas operatorëve hekurudhorë, në të dy trenat udhëtonin gjithsej rreth 400 pasagjerë dhe pjesëtarë të personelit. Shërbimet e emergjencës trajtuan 122 persona, ndërsa 43 prej tyre, përfshirë katër fëmijë, vazhdonin të trajtoheshin në spital. Trembëdhjetë persona, mes tyre një fëmijë, ndodheshin në kujdes intensiv.
Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet, pasi hetimet për shkaqet e aksidentit janë në vazhdim. Ai e ka cilësuar ngjarjen si “jashtëzakonisht të pazakontë”, duke thënë se ekspertët hekurudhorë janë të habitur nga rrethanat e saj.
Sipas operatorit hekurudhor Adif, përplasja ndodhi rreth orës 19:45 sipas kohës lokale, afërsisht një orë pasi treni që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit ishte nisur. Aksidenti ndodhi në një pjesë të drejtë të linjës hekurudhore, pranë Kordobës.
Fuqia e përplasjes bëri që vagonët e trenit tjetër të shtyheshin drejt një shpati. Sipas ministrit Puente, shumica e viktimave dhe të plagosurve ndodheshin në vagonët e përparmë të trenit që udhëtonte nga Madridi drejt Huelvës

