Fitorja e fundit 3-0 e Real Madridit ndaj Valencias ishte një tjetër dëshmi se skuadra madrilene po funksionon mirë edhe pa praninë e yllit të saj, Vinicius Jr.
Në ndeshjen e fundit të pezullimit të Viniciusit, Real Madridi shkëlqeu me Arda Gulerin, Jude Bellinghamin dhe Kylian Mbappen, ndërsa edhe Yan Diomande vazhdoi formën e mirë.
Paraqitjet e tyre kanë ngritur pikëpyetje rreth të ardhmes afatgjatë të Vinicius Jr. në klub, ndërsa një raportim i fundit nga “Diario AS” ka sjellë informacione të reja për pozitën e brazilianit në skuadër.
Sipas raportimit, Vinicius Jr. tashmë është i vetëdijshëm se e ka humbur vendin në formacionin titullar.
Kjo nuk është edhe aq befasuese, pasi sulmuesi ka shënuar vetëm një gol në të gjitha garat këtë sezon. Për më tepër, zhvillimi i tij është penguar edhe nga pezullimi prej katër ndeshjesh në garat vendore, i cili përfundoi pas fitores ndaj Valencias.
Edhe në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, ku ka qenë i disponueshëm, braziliani ka pasur ndikim minimal dhe ende nuk ka regjistruar asnjë gol apo asistim këtë sezon.
Vinicius Jr. do të jetë sërish i gatshëm për ndeshjet e La Ligës pas pushimit ndërkombëtar. Megjithatë, në një kohë kur Guler po shkëlqen dhe pritet të rinovojë kontratën, ndërsa Diomande ka gjetur vendin e tij në “Santiago Bernabeu”, braziliani e di se rikthimi në formacionin titullar mund të jetë i vështirë.
Pavarësisht vështirësive, Vinicius Jr. ka marrë mbështetjen e pakushtëzuar të trajnerit të tij, Jose Mourinho.
Komunikimi mes trajnerit portugez dhe Vinicius Jr. ka qenë mjaft i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm, diçka që kishte munguar gjatë drejtimit të Xabi Alonsos në gjysmën e parë të sezonit të kaluar.
Kjo ka ndikuar pozitivisht te braziliani, i cili tashmë ka më shumë qartësi rreth rolit të tij në skuadër. Mourinho nuk heziton të marrë vendime të vështira, por njëkohësisht e ka mbrojtur publikisht futbollistin.
Për momentin, asnjëra palë nuk është duke menduar për të ardhmen e Viniciusit. Prioriteti i menjëhershëm i reprezentuesit brazilian është rikthimi në formën më të mirë, ndoshta pas pushimit ndërkombëtar.
Mourinho tashmë ka shprehur dëshirën që Vinicius të luajë për Brazilin gjatë këtij pushimi, prandaj javët e ardhshme mund të jenë vendimtare për të ardhmen e tij sportive në skuadër.

