Steven Gerrard, ish-legjenda e Liverpoolit, ka bërë një krahasim të bujshëm mes anësorit të Barcelonës, Lamine Yamal, dhe dy prej futbollistëve më të mëdhenj në histori: Cristiano Ronaldos, yllit të Al-Nassr në Arabinë Saudite, dhe Lionel Messit, yllit të Inter Miamit në SHBA.
Sipas Gerrardit, Yamal është tashmë më i avancuar se Messi dhe Ronaldo në të njëjtën moshë, duke marrë parasysh ngritjen e jashtëzakonshme të talentit spanjoll në futbollin botëror.
Ish-kapiteni i Liverpoolit e bëri këtë vlerësim në emisionin “The Overlap Daily”, ku deklaroi se Yamal është më përpara se dy superyjet e futbollit, në të njëjtën moshë.
“Ai është më i avancuar sesa ishte Ronaldo në moshën 19-vjeçare. Kam luajtur kundër Messit kur isha më i ri dhe Lamine ndoshta është edhe më i avancuar se ai në atë moshë”, tha Gerrard.
Gerrard beson se nëse vazhdon të zhvillohet me këtë ritëm, Yamal mund të arrijë nivelin e dy legjendave të futbollit.
Megjithatë, ai ka edhe një paralajmërim për talentin e Barcelonës.
Sipas tij, sfida më e madhe për Yamalin do të jetë ruajtja e urisë për sukses dhe arritja e vazhdimësisë në paraqitje, ashtu siç kanë bërë Ronaldo dhe Messi gjatë karrierës së tyre.

