Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ngriti pikëpyetje për mënyrën se si do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga Hashim Thaçi, pas dënimit të tij me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë.
Në një postim në Facebook, Cakolli theksoi se Gjykata Speciale vendosi që dënimi i ri të vuhet veçmas nga ai prej 25 vjetësh për krime lufte.
Sipas tij, nëse të dyja aktgjykimet mbeten në fuqi, dënimi i përgjithshëm i Thaçit do të arrijë në 26 vjet e pesë muaj burgim.
Megjithatë, ai vuri në dukje se Thaçi është subjekt i një urdhërarresti të veçantë për rastin e pengimit të drejtësisë që nga 5 dhjetori 2024, pra prej më shumë se 23 muajsh, ndërsa dënimi i shqiptuar është 17 muaj.
Cakolli tha se, ndryshe nga dy të dënuarit e tjerë në këtë rast – Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu – të cilëve iu llogarit koha e paraburgimit, në rastin e Thaçit “u vendos që dënimi të jetë shtesë, pa sqaruar qartë se si do të llogaritet periudha e kaluar në paraburgim nën urdhërarrestin e dytë”.
Sipas tij, rregullat e Gjykatës parashohin zbritjen e kohës së paraburgimit nga dënimi, ndërsa mbetet e paqartë se si do të zbatohet ky parim në rastin e Thaçit.

