Gary Neville ka zbuluar emrat e futbollistëve nga të cilët Mauricio Pochettino duhet të largojë sa më shpejt Manchester Unitedin, me të marrë drejtimin e skuadrës.
Më 18 nëntor, Pochettino do të marrë zyrtarisht detyrën e trajnerit të ri të Manchester Unitedit, pas shkarkimit të ish-trajnerit Michael Carrick në fillim të pushimit për ndeshjet e kombëtareve.
Me disa futbollistë që duket se janë të pakënaqur, Pochettinon e pret një sfidë e madhe te Unitedi.
Ndërkohë, legjenda e klubit, Neville, ka identifikuar gjashtë lojtarët që trajneri i ri duhet t’i largojë të parët, nëse dëshiron ta rikthejë skuadrën në rrugën e duhur.
Siç ndodh zakonisht kur një trajner i ri merr drejtimin e një klubi të madh, pritet që Pochettino të jetë mjaft aktiv në afatin kalimtar të transferimeve gjatë muajve të parë në krye të Unitedit.
Përveç futbollistëve që mund t’i bashkohen projektit të tij, disa prej lojtarëve aktualë pritet të largohen. Neville nuk ka hezituar t’i përmendë gjashtë emrat që, sipas tij, duhet të jenë të parët në listën e largimeve.
Duke folur në emisionin “The Overlap Daily’s Stick to United”, Neville deklaroi: “Nëse i shikoni emrat tani, Martinez do të largohej, De Ligt do të largohej, Mazraoui do të largohej dhe Mount do të largohej. Kjo do të ishte vala e parë, verën e ardhshme”.
Duke shtuar edhe dy emra të tjerë në listë, Neville tha: “Rashfordi, nëse mundeni, dhe Zirkzee. Gjithsej gjashtë”.
Përveç këtyre gjashtë futbollistëve, Neville argumentoi se edhe mbrojtësi i ri, Ayden Heaven, duhet të dërgohet në huazim sezonin e ardhshëm, te një klub i Championshipit, në mënyrë që të fitojë më shumë përvojë.
Megjithatë, Neville shtoi se, pavarësisht se disa lojtarë të Unitedit mund të lidhen me largimin në afatin kalimtar të janarit, Pochettino duhet të jetë i vendosur që askush të mos largohet deri në hapjen e afatit kalimtar të verës, në muajin qershor.
Një vit më vonë, sipas Neville, do të nevojitej edhe një valë e dytë largimesh. Në këtë listë ai përfshiu Luke Shaw, Harry Maguire, Diogo Dalot dhe Bruno Fernandes.
Ai gjithashtu argumentoi se koha shtesë do t’i mundësonte klubit të merrte një vendim për të ardhmen e Carlos Baleba dhe Youri Tielemans, të cilët iu bashkuan Unitedit verën e kaluar.
“Koha më e hershme kur kjo mund të rregullohet dhe kur mund të zgjidhen të gjitha problemet është pas dy sezonesh. Mund të zgjasë edhe tre”, deklaroi Neville.
Në listën e Neville gjenden shumë emra për të cilët tifozët e Manchester Unitedit mund të pajtohen se duhet të largohen, nëse për ta vjen një ofertë e përshtatshme në të ardhmen e afërt.
Megjithatë, një prej emrave për të cilin shumë tifozë mund të mos pajtohen me legjendën e klubit është Diogo Dalot, i cili javët e fundit është shndërruar ndoshta në njërin prej lojtarëve më pak të pëlqyer nga tifozët e skuadrës aktuale.
Një seri paraqitjesh jo të mira ka bërë që mbrojtësi të vërshëllehet nga tifozët në “Old Trafford”. Por, Neville beson se reprezentuesi portugez është njëri prej futbollistëve që Pochettino duhet ta mbajë në skuadër, të paktën për momentin.
“Unë do të largohesha nga disa lojtarë para Dalotit. Daloti u vërshëllye në Old Trafford dhe kjo më befasoi shumë”, pranoi Neville.
“Daloti është detyruar vazhdimisht të luajë në krahun e majtë. Amorim e përdori si mbrojtës të krahut të majtë, duke e lënë të vuajë në atë pozitë për rreth tre muaj. Ishte e tmerrshme për t’u parë.
“Pra, ai në njëfarë mënyre e ka ngritur dorën dhe ka thënë: ‘Do të luaj aty, do të bëj gjithçka për ekipin’. Nuk e kam parë kurrë të shmangë përgjegjësinë. Nuk është ndonjë lojtar i jashtëzakonshëm, ta kemi të qartë këtë, por nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk kam menduar se mund të punojë më shumë.
“Madje, mendoj se në një mbrojtje me katër lojtarë do të ishte në rregull, sepse aktualisht ka një repart defensiv shumë të dobët përreth vetes.
“Thjesht mendoj se ai është një objektiv shumë i lehtë për kritika. E di që kjo nuk do të jetë e popullarizuar, por unë do të largohesha nga Martinez, De Ligt dhe Mazraoui shumë kohë para tij”, përfundoi Neville.

