Analisti Lirim Mehmetaj ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës, duke thënë se ajo nuk ka arritur të japë një sqarim se pse kërkoi që Ligji për Dhomat e Specializuara të votohej me urgjencë.
“Pse u bë ligji urgjent? Këtë PDK-ja nuk ka ditur kurrë ta sqarojë. Pse kishte urgjencë që të votohej ligji gjithqysh qe me mujt me u votu presidentja mos me shku ne zgjedhje pse?”, ka deklaruar Mehmetaj në Debat Plus.
Ai ka theksuar se urgjenca e PDK-së nuk lidhej domosdoshmërisht me mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, por me interesin e strukturës aktuale të partisë për të shmangur zgjedhjet
Sipas Mehmetajt, zhvillimet rreth ligjit i kanë shërbyer PDK-së për të krijuar një arsyetim publik për mbështetjen e procesit të zgjedhjes së presidentit, në bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje.
“E tash. PDK-ja, jo për ata ne Hagë por bash veç për vete, për këtl strukturë qe janë deputet sot, nuk ka dashtë me shku ma në zgjedhje. Se kanë pritu me shku në zgjedhje. Edhe krejt që ka ndodhë, është me mujt me prodhu një arsyetim publik pse e dëgjun Albin Kurtin në përzgjedhje të presidentes. Edhe ju ka përshtat perfekt. Hajde na të themi, na e votoj ligjin, Albin Kurti s’ka pasur kurrfarë problemi me votu atë ligj”, ka deklaruar Mehmetaj.
Ai ka kritikuar gjithashtu PDK-në për mungesën e reagimit ndaj çështjeve të tjera politike, duke përmendur pretendimet për përfshirjen e kryeministrit në kurdisjen e konkurseve të punësimit.
Mehmetaj ka pyetur pse përfaqësuesit e PDK-së, përfshirë Uran Ismailin, Përparim Grudën dhe Arian Tahirin, nuk e kanë ngritur këtë çështje publikisht.

