Kafiteria në Suedi, ku kishte punuar Liridona Ademaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe dënimin me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën.
Në reagimin e saj, kafiteria e ka kujtuar Liridonën, duke theksuar se ajo nuk ishte vetëm një kolege e çmuar, por mbi të gjitha një nënë e dashur dhe e përkushtuar ndaj fëmijëve të saj.
“Lilly nuk është harruar. Kujtimi për të vazhdon të jetojë dhe ne duam të vazhdojmë të rrisim ndërgjegjësimin për një realitet nga i cili preken shumë gra dhe familje”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Javën e kaluar, ne shënuam Javën Portokalli (Orange Week) – një javë e rëndësishme që synon të rrisë ndërgjegjësimin për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, si dhe dhunës në familje. Sot, në Ditën Portokalli (Orange Day), vazhdojmë ta përcjellim këtë mesazh dhe t’ua kujtojmë të gjithëve të drejtën për një jetë pa dhunë, frikë dhe shtypje.
Për ne, kjo është një çështje veçanërisht e rëndësishme dhe emocionale. Më 29 nëntor bëhen tre vjet që nga dita kur kolegia jonë e dashur, Lilly, humbi tragjikisht jetën. Lilly nuk ishte vetëm një kolege e çmuar, por mbi të gjitha një nënë e dashur dhe e përkushtuar ndaj fëmijëve të saj.
Të hënën, vendimi i gjykatës në Kosovë ndaj personave të përfshirë në vrasjen e saj, përfshirë bashkëshortin e saj, u konfirmua. Njëri prej të përfshirëve u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa tjetri me 30 vjet burgim.
Ky vendim shënon një moment të rëndësishëm në një proces të gjatë dhe të dhimbshëm për njerëzit e saj të dashur.
Lilly nuk është harruar. Kujtimi për të vazhdon të jetojë dhe ne duam të vazhdojmë të rrisim ndërgjegjësimin për një realitet nga i cili preken shumë gra dhe familje.
Askush nuk duhet ta humbasë jetën për shkak të dhunës. Asnjë familje nuk duhet të përjetojë dhimbjen që kanë kaluar familja e Lilly-t, e Wilma-s dhe familjet e tjera.
Dëshirojmë gjithashtu t’i falënderojmë nga zemra të gjithë klientët tanë të dashur që na janë bashkuar gjatë ceremonisë së ndriçimit, si dhe kanë marrë pjesë së bashku me ne në Javën Portokalli, duke treguar mbështetjen e tyre dhe duke ndihmuar në përhapjen e këtij mesazhi të rëndësishëm. Solidariteti dhe përkujdesja juaj kanë shumë vlerë për ne.
Për Lilly-n dhe fëmijët e saj. Për Wilma-n dhe familjen e saj. Për të gjitha gratë.
Së bashku, vazhdojmë ta përhapim këtë mesazh.

