Sot mbushen 29 vjet të ndarjes nga jeta të plakut të urtë Anton Çetta. Anton Çetta mbahet mend për urtësinë e tij që kishte, për punë e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar.
Por veprimtaria e tij më e madhe, është në Lëvizjen e pajtimit të gjaqeve. Kjo lëvizje u zhvillua në fillim të viteve të 90-ta dhe arriti për një kohë të shkurtër të shuante pjesën më të madhe të hasmërive mes shqiptarëve në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare.
Kjo Lëvizje e udhëhequr nga plaku i urtë, u përkrah nga studentët dhe intelektualët e kohës.
Më 1990 ai ishte vetë zëri i Kosovës dhe Kosova mishërim i idealit të tij. Anton Çetta, më mirë se askush tjetër, e njihte fare mirë dhe për së afërmi, në brendi e thellësi shpirtin e lënduar dhe të robëruar të popullit shqiptar nga vuajtja, skamja, kërcënimi dhe robërimi shekullor, shpesh i stër-ngarkuar edhe nga vetmia, izolimi, kërcënimi i gjak – hakmarrjes dhe shumë baticave dhe zbaticave tjera, veçmas i ndarjeve dhe përçarjeve, që për sundimtarët ishte arma më e lehtë e sundimit dhe robërimit tonë, shkruan Don Lush Gjergji.
Së bashku me rininë tonë, me botën e kulturës dhe të artit, me krijuesit e profileve të ndryshme, me hoxhallarë dhe meshtarë, me një fjalë me të gjithë, kishte krijuar një “orkestër” unik të pajtimit të gjaqeve, të cilin ai e “dirigjonte” me shumë mjeshtri dhe me dashuri.