Deklarata e kryeministrit Edi Rama se “Vorio-Epiri është term i vdekur”, ka sjellë reagimin e Athinës Zyrtare. Ministria e Jashtme e Greqisë shprehet se “historia mes dy vendeve nuk ndryshon”.
Athina zyrtare ka reaguar pas deklaratave të forta të kryeministrit Edi Rama nga Selaniku, ku tha se “Vorio-Epiri është një term i vdekur”. Në përgjigje të këtyre deklaratave, Ministria e Jashtme e Greqisë është shprehur se “historia midis dy vendeve nuk ndryshon”.
Ministria e Jashtme greke i ka kërkuar Shqipërisë të respektojë të drejtat e minoritetit, si kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, citon CNN grek.
“Historia midis dy vendeve nuk ndryshon, prandaj është i nevojshëm respektimi i plotë nga ana e Shqipërisë, i të drejtave të minoritetit etnik grek. Ky përbën një kusht eksplicit për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas qëndrimit unanim të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të datës 11 tetor 2024”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Në takimin me shqiptarët në Selanik, të mbajtur këtë të diel, kryeministri Edi Rama dha një mesazh për ekstremistët, që bënë dhe një protestë kundër vizitës së tij. Rama i quajti fosile, ndërsa tha se ‘Vorio-Epir’ është nocion i vdekur.