Gjuha Shqipe është 6000 vjet e vjetër, kështu u tha në Konferencën Ndërkombëtare për Gjuhën Shqipe

by engel

Gjuha shqipe nuk ka ende një datë lindjeje të konfirmuar, por një artikull i publikuar një vit më parë në revistën Science e përcaktonte shqipen si gjuhë 6000-vjeçare. Pikërisht ky diskutim dhe shumë gjetje të tjera shkencore bëri bashkë studiues nga vendi dhe bota në konferencën ndërkombëtare “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia” .

Sipas studimit që ka realizuar profesor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorë të tjerë, indoeuropianishtja datohet rreth 8100 vite më pare. Ai shpjegon se, thelbësisht, kjo familje rezulton e ndarë rreth 7000 vite më parë nga koha e sotme në disa degë, ndër të cilat është edhe dega paraardhëse e shqipes moderne.

banner

“Natyrisht, gjuhët janë faza në pasardhje të vazhdueshme në kohë, nuk kanë një datë lindjeje, dhe për këtë arsye nuk ka një ‘gjuhë më të vjetër’. Megjithatë, ajo që del nga të dhënat dhe rezultatet tona është se sa shumë është larguar shqipja nga degët e tjera të mbijetuara të indoeuropianishtes – kështu që fokusi këtu është në atë se çfarë do të thotë dhe çfarë nuk do të thotë kjo”,-tha Paul Heggarty, studiues.

Pjesë e diskutimeve ishte dhe prof. Olav Hackstein, drejtor i Institutit të Gjuhësisë Krahasuese dhe të Albanologjisë në Mynih.

“Studimet e fundit kanë identifikuar shtresa të njëpasnjëshme të kontakteve prehistorike. Kontributi synon të hedhë dritë mbi shtresat më të hershme të kontakteve areale, kur dialektet protoindoeuropiane ishin në kontakt me njëra-tjetrën. Një numër risish të rëndësishme dhe të përhapura që dallojnë para-prototokarishten nga para-paleoballkanishtja indoevropiane”,-tha Olav Hackstein, Drejtor i Albanologjisë në Mynih.

Ndërsa studiuesi Giulio Imberciadori pohon se shumica e studiuesve janë dakord se midis gjuhëve të tjera indoeuropiane, shqipja shfaq një lidhje më të afërt me greqishten e lashtë dhe armenishten (si dhe frigjishten) dhe për këtë arsye është pjesë e të ashtuquajturës “indoeuropianishte ballkanike”.

Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, kjo tryezë është një hap i mëtejshëm përparues në vazhdën e arritjeve të Kuvendit të Dytë të Studimeve Albanologjike, që u organizua në Tiranë tre vjet më parë.

Në dy ditë kjo tryezë shkencore pritet të prezantojë të dhëna jo vetëm për gjuhën, por edhe zbulime arkeologjike që lidhen ngushtësisht me gjenetikën në Shqipëri dhe Kosovë, që dëshmojnë se në mijëvjeçarin III para Krishtit fillon procesi i gjatë i etnogjenezës së popullsive ilire në Ballkanin Perëndimor.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy