Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur fjala përfundimtare në gjykimin ndaj Sylejman Pllanës, i cili akuzohet se në cilësinë e inxhinierit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke marrë ryshfet.
Prokurori Besnik Jakupi, në fjalën përfundimtare, deklaroi se pas administrimit të provave në këtë shqyrtim gjyqësor, dëgjimi i dëshmitarëve, është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet, siç përshkruhet në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai kërkoi që i akuzuari Pllana të dënohet në përputhje me dispozitat ligjore.
Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Pllana, avokati Nexhmedin Sejdiu, tha se prokuroria kishte përpiluar aktakuzën në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK).
I njëjti kërkoi nga gjykata që pas vlerësimit të provave, të lirojë të mbrojturin e tij nga aktakuza.
Këtë qëndrim të avokatit e mbështeti edhe vetë i akuzuari, Pllana.
Ndërkaq, Egzon Hyseni, bashkë i akuzuar në këtë rast, kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me gjobë prej 1 mijë 800 euro nga Gjykata Themelore e Prishtinës, më 17 maj 2021
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 janar 2021, Sylejmon Pllana po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, inxhinier në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) duke e keqpërdorur detyrën e tij, Egzon Hysenit i ka kërkuar ryshfet në shumë prej 5,500 euro duke i premtuar se do ta punësonte si vozitës në KEK
Gjithnjë sipas aktit akuzues, Pllana fillimisht e kishte pranuar shumën prej 2,000 euro nga i akuzuari Hyseni, e pastaj në një takim tjetër ai kishte pranuar edhe shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër prej 3,000 euro, ata ishin pajtuar që ajo pjesë të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej dhe ta marr pagën e parë në KEK.
Me këto veprime, Pllana po akuzohet se ka kryer veprat penale “ Marrja ryshfetit” nga neni 428 par 1 dhe “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par 1 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Egzon Hyseni po akuzohet se gjatë muajit prill 2019, është takuar me të akuzuarin Pllana në Fushë Kosovë dhe me qëllim që të punësohej në KEK, fillimisht i kishte dhënë Pllanës shumën prej 2,000 euro e pastaj në një takim tjetër shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër ishin pajtuar që të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej në KEK.
Me këtë, Hyseni po akuzohet se ka kryer veprën penale “ Dhënia e Ryshfetit” nga neni 429 par 1 të KPRK-së