Arsenali synon të përforcohet në afatin kalimtar të janarit, pasi objektivi mbetet i pandryshuar që është titulli kampion.
E për të arritur deri tek titulli, Mikel Arteta dëshiron ta përforcojë më shumë skuadrën dhe synon një tjetër transferim nga rivalët e West Ham United.
Arsenali thuhet se po konsideron një lëvizje për Mohammed Kudus në afatin e ardhshëm të janarit, sipas TBR Football.
Topçinjtë kanë qenë të lidhur me mesfushorin e West Ham që nga vera e vitit 2023, kur ai bëri transferimin e tij prej 38 milionë funteve nga Ajax te Hammers.
Kudus, i cili ishte gjithashtu një objektiv i Brighton dhe Chelsea, që atëherë ka parë rritjen e vlerës së tij.
Paraqitjet e ndërkombëtarit ganez e kanë mbajtur atë në radarin e klubeve më të mira të Ligës Premier dhe Arsenali mund të jetë gati të bëjë lëvizjen e tij për mesfushorin e talentuar.
Megjithatë për të arritur deri te transferimi i mesfushorit ganez, Topçinjtë tani duhet të shpenzojnë mbi 80 milionë euro.
24-vjeçari këtë edicion në 12 ndeshje ka shënuar dy gola dhe ka asistuar në dy të tjerë.