Pesë persona janë vrarë të shtunën në Francën Veriore, ndërsa një 22-vjeçar është dorëzuar në stacionin e xhandarmërisë duke pranuar autorësinë e krimit. Ngjarjet tragjike nisën rreth orës 15:00 në Wormhout, ku një biznesmen 29-vjeçar u qëllua për vdekje në oborrin e banesës së tij, raporton “Le Parisien”. Sipas bashkëshortes së viktimës, autori i sulmit zbriti nga një automjet dhe hapi zjarr, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të burrit të saj.
Pak orë më vonë, në zonën e Loon-Plage pranë Dunkirk-ut, u raportuan katër viktima të tjera: dy roje sigurie dhe dy emigrantë. Ngjarja ndodhi në dy vende të ndryshme brenda zonës portuale. Sipas kryetarit të bashkisë, Éric Rommel, rojet e sigurisë u sulmuan gjatë patrullës së tyre, ndërsa emigrantët u vranë në një zonë të afërt mes Loon-Plage dhe Dunkirk.
Rreth orës 17:00, një person i identifikuar si Paul D., banor i Dunkirk, u paraqit në stacionin e xhandarmërisë në Ghyvelde duke pranuar përgjegjësinë për të pesë vrasjet. Sipas autoriteteve, i dyshuari kishte në pronësi ligjërisht një pushkë Smith & Wesson dhe kishte katër armë në makinën e tij në momentin e dorëzimit.
Motivet e sulmit mbeten të paqarta, megjithëse hetimet po shqyrtojnë një konflikt të mundshëm mes autorit dhe kompanisë së viktimës së parë. Nuk ka indicie që sugjerojnë një motiv racor për ngjarjen, sipas prefekturës lokale.
Forcat e rendit dhe hetuesit vazhduan punën në terren deri në orët e mbrëmjes, duke mbledhur prova dhe duke ndriçuar vendngjarjet për hetime të mëtejshme. Një hetim gjyqësor është hapur për të zbardhur rrethanat dhe motivet e kësaj masakre që ka tronditur komunitetin lokal.