Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar kërcënimin me vrasje ndaj gazetarit dhe drejtuesit të portalit “Periskopi”, Ilir Mirena.
AGK ka shprehur shqetësim të thellë për mesazhin kërcënuar që ka marrë Mirena dhe ka ftuar Policinë e Kosovës që të hetojë urgjentisht rastin.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thekson se kjo gjuhë kundër gazetarëve është duke vazhduar, dhe kanë bërë thirrje tek Qeveria e Kosovës dhe partia në pushtet të mos nxisë dhe të kontribuojë në zbutjen e diskursit publik kundër gazetarëve dhe mediave në Kosovë.
Reagimi i plotë:
AGK-ja dënon kërcënimin me vrasje ndaj Ilir Mirenës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me kërcënimin me vrasje që gazetari dhe drejtuesi i portalit “Periskopi”, Ilir Mirena ka marrë sot.
Mirena e ka postuar në Facebook një koment në të cilin një person i shkruan: “Ky veq plumin e ka hak e meriton”.
AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me natyrën kërcënuese për jetë të mesazhit, dhe e fton Policinë e Kosovës që ta hetojë urgjentisht rastin.
Ky kërcënim është vazhdimësi e të tjera kërcënimeve të ngjashme ndaj gazetarëve dhe aktivistëve në kohët e fundit.
AGK-ja e fton sërish Qeverinë e Kosovës dhe partinë në pushtet, që të mos nxisë, por të kontribuojë në zbutjen e diskursit të rënduar publik kundër gazetarëve dhe mediave në Kosovë