Në pikën kufitare në Merdar ende nuk ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e hyrjes në territorin e Kosovës të veturave me targa serbe.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës në këtë pikë kufitare ka thënë se të gjitha veturat me targa serbe po lejohen të hyjnë në Kosovë.
Gazetarja e KOHËS, Rinesa Qorri, e cila po qëndron në këtë pikë kufitare, ka thënë se i njëjti zyrtar nuk ka dhënë ndonjë informatë sa i përket ndalimit të kamionëve me mallra të Serbisë.
“Njëri nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës këtu në pikën kufitare ka thënë prapa kamerës se ende nuk kanë filluar zbatimin e vendimit të Qeverisë sa i përket targave serbe se dhe të gjitha veturat me targa serbe po lejohen të hyjnë në Kosovë ani se zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se për arsye të sigurisë institucionet kanë vendosur ta rrisin nivelin e kontrolleve duke ndaluar kështu të gjitha automjetet me targat e Serbisë të hyjnë në Kosovë. Ndërkaq, pjesëtar i Policisë nuk ka dhënë ndonjë informatë sa i përket ndalimit të kamionëve me mallra të Serbisë, për të cilët ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se të gjithë kamionët e Serbisë deri në një vendim tjetër nuk mund të futen në Republikën e Kosovës”, ka thënë ajo.
Në këtë pikë kufitare nuk është parë fluks i madh i veturave të cilat hyjnë dhe dalin nga territori i Kosovës.
Pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës në Leposaviq nga forcat serbe, Qeveria ka marrë të ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave nga Serbia, si dhe të automjeteve me targa serbe.