“Jo nuk janë kryer”- ishte përgjigjur gjashtë herë personi përgjegjës i kompanisë “NBT ING” SH.P.K., Bekim Baftijaraj, kur ishte pyetur nga prokurori se përse nuk janë zbatuar pikat e caktuara të kontratës për renovimin e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës.
Sipas Prokurorisë disa pika (pika 2.2, 2.3, 5.1, 5.17, 5.13, 5.14) të kontratës për kulmin e objektit të komunës së Prishtinës, nuk ishin kryer nga kompania përgjegjëse.
Më 18.01.2024 një pjesë e kulmit të objektit të komunës së Prishtinës kishte rënë nga objekti dhe kishte lënduar një kalimtare të rastit duke shkaktuar dëme të tjera në vetura.
Aktakuza e ngritur më 20.01.2025 thotë se Bekim Baftijaraj ishte marrë në pyetje nga hetuesia më 22.01.2024, i njëjti kishte deklaruar se detyrë e tij ka qenë furnizimi me materiale si dhe menaxhimi i punëtorëve për këtë projekt.
Personi përgjegjës për këtë projekt kishte deklaruar se janë kryer vetëm përafërsisht 9% të kontratës. Këto punë sipas Baftijarajt përfshinin, sanimin në kulmin e pjerrët, llamarina dhe mbulesën e kulmit të shkallëve emergjente, demolimin e murit taktikës (muri rrethojë), largimi i pllakave dhe zhavorit si dhe ishte bërë izolimi me qëllim që të ndalet rrjedha e ujit në katin e tretë
Në pikën 2.2 të kontratës, sipas aktakuzës së prokurorisë, është paraparë demolimi dhe largimi i materialit të mbulesës së kulmit të pjerrët me të gjitha elementet përcjellëse (llamarina, listelat, kontralistelat, dërrasimi i kulmit).
Bekim Baftijaraj kishte deklaruar se kjo pikë e kontratës “Jo nuk janë kryer”.
Arsyeja se pse nuk janë kryer këto sipas personit përgjegjës të kompanisë është se nuk ka qenë e nevojshme të kryhet.
Tutje organet hetuese kishin kërkuar përgjigje nga tashmë i akuzuari, se pse nuk ishte kryer as pika 2.3 e kontratës e cila kishte të bënte me demolimin dhe largimin e materialit të konstruksionit të kulmit të pjerrët me të gjitha elementet përcjellëse.
“Jo nuk janë kryer”- ishte përsëri përgjigja e të akuzuarit për mos kryerjen e punimeve për pikën 2.3 që pretendon prokuroria në aktakuzë.
Arsyeja sipas Baftijarajt për pikën 2.2 është e njëjtë si për pikën 2.3.
Tutje, prokuroria, pretendon se as pika 5.1 nuk ishte kryer, e cila kishte të bënte me funrizimin me materale dhe vendosja – punimi i shtresës termoizoluese me lesh guri të presuara së bashku me foli difuzive dhe folinë sipër shtresës termoizoluese.
Përsëri përgjigja e të akuzuarit prara organeve hetuese ka qenë se nuk është kryer as kjo pikë e kontratës.
Organet e hetuesisë, tutje kanë kërkuar përgjigje se pse nuk ishin kryer punimet as sipas pikës 5.17 të kontratës.
Personi përgjegjës i kompanisë ka thënë se nuk ishte ndërhyrë në kulme dhe për atë nuk është kryer sipas kësaj pike. Sipas tij sasia e leshit të gurit është bartë në muret ndarëse.
Përgjigje policia nuk kishin marrë kur e kishin pyetur Baftijarajn se pse nuk ishin kryer punimet sipas pikës 5.13
Tashmë i akuzuari kishte thënë se zakonisht ishin konsultuar me autoritetin kontraktues.
Tutje gjatë marrjes në pyetje në polici, tashmë i akuzuari kishte deklaruar se as pika 5.14 nuk ishte kryer. Edhe për këtë pikë arsyeja është sikur për pikat e tjera.
I akuzuari Baftijaraj kishte deklaruar se në paramasa nuk kanë qenë të cekura hapja e dritareve të kulmit por që ishte kërkuar nga autoriteti kontraktues që të hapen katër të tilla. Dy ishin hapur dhe dy të tjera nuk ishin hapur pasi kështu ishte vlerësuar edhe nga ana e autoritetit kontratkues.
Ndonëse hapja e dritareve nuk ishte paraparë me kontratë për t`u paguar, personi përgjegjës ka deklaruar se pagesa për to ishte llogaritur me zëvendësim të 300 metrave llamarinë.
I njëjti ka thënë se nuk i kujtohet se sa e kanë pasur çmimin 300 metra llamarinë.
Në po të njëjtën ditë më 22.01.2024 ishe marrë në pyetje në ppolici edhe tashmë i akuzuari tjetër i këtij rasti, Ylber Jashari
Jashari ka deklaruar se ka pozitën e zyrtarit të lartë të ndërtimit që nga vitit 2015.
Zyrtari komunal ka deklaruar se kontrata për renovimin e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës ka pasur shumë pozicione por që kryesoja ka qenë terasa dhe disa renovime të brendshme në objekt.
Sipas tij, terasa ishte kryer komplet dhe një pjesë e kulmit në pjesën e poshtme të objektit.
Jashari kishte deklaruar se 300 m2 të kulmit ishe demoluar ashtu siç ishte e përcaktuar në kontratë ndërsa kulmi në tërësi kishte 1000 m2.
Në këto 300 m2 të kulmit ishte përzgjedhur renovimi në pjesën e poshtme pasi kishte rrjedhje të ujit dhe qëllimi ishte për ta parandaluar rrjedhjen e ujit në këtë pjesë.
Zyrtari komunal ishte pyetur se a ishte paraparë në kontratë hapja e dy dritareve në kulmin e objektit të Komunës së Prishtinës, i njëjti ka thënë që nuk ishte paraparë në kontratë, mirëpo ishin konsultuar me organin mbikëqyrës të kontratës, udhëzimin e drejtorit të investimeve kapitale, drejtorit të urbanizimit dhe është bërë hapja e dritareve.
I njëjti ka shtuar për sqarim se këto hapje nuk kanë qenë dritare por si hapësira për ndriçim.
Zyrtari komunal është pyetur se a ishte njoftuar organi mbikëqyrës për punët e pozicionit 2.2 ku ishte paraparë demolimi dhe largimi i materialit të mbulesës së kulmit të pjerrët me të gjitha elementet përcjellëse.
Jashari ishte përgjigjur se pozicionet ishin realizuar në kuadër të kontratës.
Jashari tutje ka thënë se ka pasur punë të cilat janë kryer nga Operatori Ekonomik por të cilat nuk ishin paguar, duke shtuar se të gjitha pagesat e realizuara janë bërë sipas kontratës.
Tashmë i akuzuari nuk ka pasur përgjigje kur është pyetur nga policia se në rast se ka pasur devijime apo mos-përmbushje të kontratës kush është përgjegjësi
“S’kam përgjigje”- ishte deklaruar tashmë i akuzuari.
Sipas kryeprokurorit, Zejnullah Gashi në një konferencë për media më 27.12.2024 ka thënë se personat e dyshuar kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, si dhe janë dakorduar që të bëjnë kompensimin e dënimit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, në vlerë prej 36 mijë euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20.01.2025, ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë ndaj Ylber Jasharit dhe Bekim Baftjarajt për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës. Aktakuza është ngritur dhe e njëjta është dorëzuar në gjykatë por që ende nuk është caktuar seanca e parë për këtë rast.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së sotme pas një pune hetimore ka ngritur Aktakuzë ndaj Y. J. dhe B. B., për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.”– thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Ylber Jashari akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro me dashje direkte dhe me qëllim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania.
“I pandehuri Y. J. akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar ne atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania, ka përpiluar Raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës. Edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas Kontratës, në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14 – duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, në shumën prej 36,450.29 euro, me çka ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Tutje, sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Bekim Baftjaraj akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë.
“Ndërkaq i pandehuri B. B. akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës ku gjatë ekzekutimit të Kontratës ka kryer punë tjera, e jo ato sikur në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14 të Kontratës së lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth – duke lënduar rëndë të dëmtuarën E. U., në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara përreth ndërtesës – me çka ka kryer veprën penale Punimet Ndërtimore të Kundërligjshme.” – thuhet, tutje, në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë
Po ashtu, në njoftimin e Prokurorisë është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur Marrëveshje për pranimin e fajësisë, si dhe me rastin e ngritjes së Aktakuzës i është propozuar Gjykatës që të pandehurit të obligohen që të kompensojnë dëmin material, në shumën prej 36,450.29 euro që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, si dhe të ngarkohen me shpenzimet e procedurës penale.
Një qytetare ishte lënduar e disa vetura ishin dëmtuar nga rënia e një pjese të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” në kryeqytet, një vit më parë. Në vendin e ngjarjes menjëherë kishin dalë ekipe të emergjencës, të zjarrfikësve, të Policisë dhe të Prokurorisë së Prishtinës. Edhe zyrtarë të Komunës dhe të opozitës lokale ishin parë në vendin ku ndodhi rasti. /Kallxo