Një nga sulmuesit më të mirë të ditës së sotme, Erling Haaland, javën e kaluar nënshkroi kontratën më të madhe në historinë e futbollit anglez, ndërsa tani e ka pranuar se as që e ka menduar “gjyqin e shekullit” në futboll që po zhvillohet aktualisht për klubin ku ai luan, Manchester Cityn.
Si një rrufe në qiell, javën e kaluar bëri jehonë lajmi se sulmuesi i njohur norvegjez nënshkroi kontratë për 9 vite e gjysmë me Manchester Cityn
Përveç faktit se kohëzgjatja e kontratës është krejtësisht e pabesueshme, Haaland do të marrë pagën më të lartë në historinë e futbollit anglez
Mediat angleze zbulojnë se ai do të fitojë 590 mijë euro, shifër kjo që nuk është parë kurrë në Ligën Premier.
Nga detajet që dihen zyrtarisht, theksohet se Haaland do të ketë një klauzolë në kontratë, por aktive vetëm nga viti 2029, për të gjitha klubet që duan ta blejnë. Shifra do të jetë jashtëzakonisht e lartë.
Me këtë rast, Haaland është pyetur nëse gjatë nënshkrimit të kontratës ka menduar për 115 pikat e aktakuzës në gjykimin që po vazhdon kundër Manchester Cityt.
Akuzat në “gjyqin e futbollit të shekullit” i referohen shkeljeve të rregullave të Ligës Premier dhe Ligës së Kampionëve, ku Manchester City përballet me zbritje pikësh, ndëshkime financiare, konfiskim trofesh, ndalime të blerjes së lojtarëve dhe madje edhe përjashtim nga liga
Megjithatë, Haaland thotë se nuk e ka menduar këtë, por se beson në atë që po bëjnë në klub. Gazetari i ka bërë një pyetje krejtësisht logjike, pasi zgjatja e kontratës për aq gjatë me klubin e rrezikuar nga dënimet, nuk do të bëhej nga të gjithë lojtarët
“Jo, as që e kam menduar kur nënshkrova kontratën. Jam i bindur se klubi e di se çfarë po bën dhe në fund, nuk duhet të flas shumë për këtë,” deklaroi Haaland përpara ndeshjes së sonte kundër Paris Saint Germain.
Seanca dëgjimore e Manchester Cityt ka përfunduar dhe vendimi përfundimtar pritet në fund të marsit.