Tre nxënësit e shkollës fillore në Jabllanicë të Gjakovës (njëri 13 dhe dy të tjerët nga 15 vjeç) do të varrosen nesër në orën 14:00 në varrezat e fshatit, ku vdiqën të shtunën si pasojë e shembjes së një objekti.
Shkolla fillore “Dëshmorët e Kombit” publikoi njoftimin mortor, ndërsa u shprehu ngushëllime familjarëve dhe shokëve e shoqeve të të miturve.
“Ideali, Rama dhe Vetoni do të mbahen mend përher si nxënës të hareshëm të dashur me shokët dhe shoqet e tyre të klases, si dhe të përkushtuar në mësime! Në këto momente të rënda, mendimet dhe lutjet tona qëndrojnë me familjet, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ti njihnin”, thuhet në reagimin e shkollës.
Familjet Morina, Rama dhe Mehmetaj shprehën dhimbjen e madhe për këtë ngjarje tragjike në njoftimin mortor, në të cilin. ndër tjerash shkruhet: “Largimi i tyre i parakohshëm ka lënë një boshllëk të madh në zemrat tona”.
Policia tha në raportin 24-orësh se objekti është shembur në rrethana të panjohura, ndërsa tre djemtë – dy 15 dhe tjetri 13 vjeç – ishin brenda kur u zunë nga pllaka.
Majori i Policisë, Milazim Lumi tha se objekti kishte mbetur i pabanuar që prej luftës më 1999.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka hapur rast për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” pas ngjarjes tragjike.
Prokurori i Shtetit u tha se është “në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës” dhe se “po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”.