Udhëheqësi i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkon nga presidentja Osmani që të ketë qëndrim të qartë për veprimet e Qeverisë së Kosovës.
“Unë e kam brengën e pozicionit të presidentes së vendit, njeriut më të larte me pozicion shtetar në republikë karshi fondamenteve të vet republikës, madje edhe në çështje që e prekin fushëveprimin e saj, siç është politika e jashtme dhe siguria – në këtë rast Ushtria e Kosovës”, u shpreh ai në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Ai shtoi se në dy paraqitjet e tij të fundit ka pasur një kërkesë të njëjtë, që presidentja të ketë rol të qartë mbi relacionet në të cilat Kosova gjendet sot, dhe se këtë pozicion të qartë ai vlerëson se nuk e ka gjetur ende.
“Nga anulimi i mbështetjes ushtarake “Defender 2023”, presidentja do të duhej të ishte e para që shpreh jo vetëm keqardhje, por edhe kërkon llogari prej kryeministrit, sepse ka prekur ushtrinë në të cilën ajo është komandante supreme”.
“Ajo nuk e ka ende të shprehur qartazi pozicionin për veprimet e Qeverisë së Kosovës. Unë këtë zë e kërkoj ende, e inkurajoj presidenten që të ketë qëndrim të qartë”, përfundoi ai.