Është shtyrë seanca e së premten në rastin ku Idriz Alija, akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj bashkëjetueses së tij Sh.T. Seanca u shty për shkak të propozimit të mbrojtës së tij, avokatit Haxhi Millaku për lidhje të marrëveshjes për pranim të fajësisë.
Në fillim të kësaj seance, avokati Millaku tha se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, janë dakorduar që të shfrytëzojnë këtë të drejtë duke marrë parasysh rendësin dhe qëllimin e saj.
“Pas vizitës në qendrën e paraburgimit dhe konsultimeve me të mbrojturin tim kemi rënë dakord, duke i sqaruar mundësin ligjore që në këtë fazë të procedurës, pas ngritjes së aktakuzës t’ju drejtohem prokurorit të shtetit për mundësin ligjore për negocimi të marrëveshjes për pranim të fajësisë… gjithnjë duke kuptuar rendësin dhe qëllimin për një marrëveshje të tillë, që gjykata t’i japi mundësin ta vlerësoj dhe të pranoj të njëjtën”, tha Millaku.
Tutje, avokati Millaku tha se ky dakrodim erdhi si pasojë e moshës së të akuzuarit, gjendjen e tij shëndetësore dhe se me arritjen e kësaj marrëveshje, palët do të bien në paqe dhe nuk do të pengojnë më njëri tjetrin.
Andaj, bazuar në këtë propozim avokati kërkoi nga trupi gjykues që seanca e sotme të shtyhet.
Lidhur më këtë propozim, prokuroria e shtetit, Fatmire Cocaj tha se negocimi për marrëveshje për pranim të fajësisë është një e drejtë procedurale dhe që ajo mund të bëhet në secilën fazë të procedurës.
Më këtë propozim nuk kishte kundërshtime as nga pala e dëmtuar dhe mbrojtësi i tyre, avokati Fitim Gashi.
Kështu, pasi që nuk kishte kundërshtime lidhur me propozomini e mbrojtësit të palës së akuzuar, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e aprovoj këtë propozim
“Pas propozimit nga mbrojtësi i të akuzuarit dhe marrjes së qëndrimit nga prokuroria dhe mbrojtësi i palës së dëmtuar, trupi gjykues merr këtë aktvendim. Aprovohet propozimi i mbrojtësit të palës së akuzuar që të ndërprehet shqyrtimi gjyqësor dhe t’i jepet kohë e arsyeshme për zhvillimin e negocimit me autoritetin e prokurorisë për arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë”, tha kryetarja e trupit gjykues, gjyqtaria Medie Bytyqi.
Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 7:33 minuta, i pandehuri Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje, të Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje me qëllim tenton ta privoj nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T me të cilën ka bashkëjetuar, përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj E.T, duke ecur në rrugë i ka përcjell nga mbrapa
Aty thuhet se, posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësor i pandehuri përshpejton hapat e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e raportit, vrapon pas tyre nga mbrapa në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se, pas këtij veprimi të të akuzuarit, djali i të dëmtuarës, i mitur E.T, tenton ta largon nga ajo, derisa i pandehuri sërish shkrep disa herë mbi trupin e të dëmtuarës e mandej e godet me forcë të madhe rreth tetë ose nëntë herë në kokë me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke ku më pas të njëjtin policia e arreston.
Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurit, të dëmtuarës i shkaktohen tre plagë hyrëse-tej shkuese nga arma e zjarrit, ku si dëshmi posedon raportet mjekësore dhe e njëjta është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, me ç’rast sipas ekspertizës mjeko-ligjore e dëmtuara ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit
Me këtë i pandehuri Alija po ngarkohet se ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173 paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.5 lidhur me nenin 28, i Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë të saj, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët një pistoletë të tipit “Cervena Zastava” M-57, me të cilën ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës disa herë, 3 nga gëzhojat e së cilës armë janë gjetur në vendin e ngjarjes si dhe një predhë, kurse armen e ka marr një person i cili largohet nga vend i ngjarjes, ndërkaq policia pas veprimeve hetimore më pas e ka gjetur armën dhe ka identifikuar personin nga i cili sekuestrohet arma e zjarrit. Gjithashtu edhe ndaj këtij personi iniciohet procedurë penale.
Me këtë i pandehuri Idriz Alija akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronës, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, i pandehuri Alija nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega Fushë Kosovë, Departamenti i Përgjithshëm, divizioni penal, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual
Për këtë veprim i pandehuri Alija po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e Gjykatës” nga neni 393 paragrafi 1 i Kodit Penal.