Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, mori pjesë këtë të premte në një takim ku së bashku me kreun e Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, prezantuan masat parandaluese për krimet zgjedhore.
Në fjalën e tij, Dumani tha se askush që zbaton ligjin dhe Kushtetutën në lidhje me mbajtjen e procesit zgjedhor nuk duhet të ketë frikë nga strukturat speciale që do të monitorojnë procesin. Kreu i SPAK theksoi se hetimi i veprimeve penale për krimet zgjedhore do të bëhet pa asnjë lloj paragjykimi.
Ai shtoi se SPAK do të nisë hetimet sa herë do të ketë raste të dyshuara dhe fakte penale për krime zgjedhore.
“Askush nuk duhet të ketë frikë nëse zbaton ligjin dhe Kushtetutën. Ne e kemi detyrim ligjor dhe kushtetues që, sa herë kemi raste që përbëjnë fakt penal, jemi të detyruar të nisim hetime,” tha Dumani
Dumani gjithashtu theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin e krimeve zgjedhore.
“Duke marrë shkas nga pyetja që drejtuat, ai konfirmoi se kanë bashkëpunim të mirë me Prokurorinë e Përgjithshme edhe për krimet zgjedhore. “Po punojmë për të përmirësuar bashkëpunimin për të koordinuar në lidhje me kompetencat e hetimit të rasteve nga dy prokuroritë,” përfundoi Dumani.