“Papa Françesku ka kaluar një natë të qetë dhe ka pushuar, por prognoza mbetet e rezervuar”, kështu njofton zyra e Shtypit e Vatikanit e cila thotë se analizat e gjakut të kryera dje gjithashtu treguan “një ulje të trombociteve, e shoqëruar me anemi, që kërkoi administrimin e transfuzioneve të gjakut”
I shtruar që nga e premtja e javës së kaluar në spitalin Gemelli për shkak të një bronkiti që u shndërrua në pneumoni bilaterale, Papa Françesku dje pësoi një përkeqësim
Në buletinin mjekësor të lëshuar në mbrëmje nga zyra e shtypit të Vatikanit, u raportua se në mëngjesin e djeshëm Bergoglio kishte kaluar “një krizë respiratore astmatike me kohëzgjatje të madhe, e cila kërkoi edhe përdorimin e oksigjenit me rrjedhje të lartë”.
Buletini vijonte duke theksuar se “Papa vazhdon të jetë i vetëdijshëm dhe e ka kaluar ditën ulur në kolltuk, megjithëse në gjendje më të rënduar se një ditë më parë”. Gjendja e tij “mbetet kritike dhe, siç u shpjegua dje, ai ende nuk është jashtë rrezikut”. Në përfundim, njoftimi mjekësor i publikuar mbrëmë nga Vatikani theksonte se “për momentin, prognoza mbetet e rezervuar”.
Angelusi pa Papën
Papa nuk do ta kryesojë lutjen e Engjëllit të Zotit këtë të dielë. Këtë mëngjes në Shën Pjetër, monsinjor Rino Fisichella do të kryesojë në vend të Papës meshën e parashikuar për Jubileun e diakonëve. Përgjegjësi i Vatikanit për Vitin e Shenjtë do të lexojë homelinë e përgatitur ditët e fundit nga Papa. Gjithashtu, teksti i lutjes së zakonshme të Angelusit të së dielës do të jetë ai i përgatitur nga Papa Françesku