Mohamed Salah është futbollisti më i mirë në botë për momentin, kjo temë as që do diskutim.
Sulmuesi egjiptian po e udhëheq me sukses Liverpoolin në Premierligë dhe në Ligën e Kampionëve, ku “Reds” i kanë punët mjaft mirë.
“Mbreti” i ka shënuar 25 gola në kampionatin anglez, ndërsa e ka nisur vitin 2025 në mënyrë maestrale.
Vetëm në shtatë ndeshjet e muajit shkurt ai i ka 13 kontribute në gol, përfshirë këtu gola dhe asistime.
Ndonëse nuk shënoi mbrëmë ndaj Newcastle United, ish-futbollisti i Baselit, Chelseat, Romës e Fiorentinës kontribuoi me një asistim.
Ai njëherësh arriti në kuotën e 142 golave + asistimeve në “Anfield Road” në ndeshje të Premierligës, i jashtëzakonshëm.
E Salah, i cili po e kalon vitin e fundit të kontratës me liderin e Premierligës, nuk e fsheh dëshirën dhe synimin për ta fituar Topin e Artë.
“Do të doja të fitoja gjithçka. Së pari le ta fitojmë Premierligën, Ligën e Kampionëve, e pastaj të shohim…”, deklaroi 32 vjeçari për “TNT Sports”.