Drilon Hazrollaj sipas të gjitha gjasave është duke e kaluar sezonin e fundit në fanellën e Malishevën.
Ylli kosovar iu ka rënë në sy klubeve rumune, ndërsa Rapid Bukureshti duket se është në “pole-position” për transferimin e tij, raporton mediumi rumun “Digi Sport”,
21 vjeçari thuhet se i kishte nisur negociatat me klubet polake dhe ato ukrainase në muajin e kaluar, ndërsa tash në garë u fut edhe Rapidi, i cili synon ta bëjë të vetin “perlën” e Kosovës.
10-shi i Malishevës ka qenë njëri prej futbollistëve më të mirë në Superligën e Kosovës në dy sezonet e fundit dhe ai iu ka rënë në sy klubeve rumune që nga viti i kaluar.
Interesimin e Rapidit për Hazrollajn e ka konfirmuar edhe njëri prej aksionarëve të klubit, Victor Angelescu.
Klubi nga kryeqyteti rumun do ta synojë titullin e kampionit të Rumanisë në sezonin e ardhshëm dhe ylli kosovar shihet si njëri prej lojtarëve që mund të ndihmojë për ta arritur këtë objektiv.
Sipas faqes së specializuar për vlerësimin e futbollistëve – Transfermarkt, vlera e Hazrollajt në treg është 800 mijë euro.
Gjatë 23 ndeshjeve të luajtura në sezonin 2024-2025, Hazrollaj i ka realizuar 8 gola në të gjitha garat, ndërsa i ka luajtur më shumë se 1,600 minuta.
E në sezonin paraprak, futbollisti ofanziv i realizoi 28 gola dhe i pati 11 asistime në 36 ndeshje, statistika këto të jashtëzakonshme.
Edhe pse nuk ka debutuar në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren A të Kosovës, Hazrollaj konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë kosovarë të momentit

