Kosova do të ketë dy përballje me Islandën për një vend në Ligën B të Kombeve, ndërsa përzgjedhësi i Dardanëve, Franco Foda, në ditët në vijim pritet të publikojë listën.
Lista për ndeshjet e marsit do të ketë dy risi të sigurta, ku synimi është krijimi i konkurrencës në mesin e fushës.
Telegrafi mëson nga burime afër lojtarëve, se Bledian Krasniqi (Zurich) dhe Vesel Demaku (Altach), do të jenë dy prurjet e reja te Kosova, pasi dyshja ka kompletuar dokumentacionin e nevojshëm për të qenë pjesë e “Dardanëve”.
Bledian Krasniqi, tani 23 vjeç, është një mesfushor që luan pozitat e qendrës si prapa ashtu edhe si më i avancuar, ndërsa është lojtar i formacionit startues te Zurich.
Këtë sezon ai ka 22 ndeshje në elitën e futbollit zviceran, ku ka shënuar 3 gola dhe ka dhuruar 4 asistime
Lojtari që ka një vlerë në treg prej 1.5 milion eurove, ka luajtur Ligën e Konferencës këtë vit në tri përballje.
Ai ka luajtur në të gjitha grupmoshat e Zvicrës, nga U15 deri në U21, duke zhvilluar afërsisht 40 ndeshje, ku ka edhe 5 gola.

Në anën tjetër, Vesel Demaku, është një mesfushor mbrojtës, pjesë e Altachit, në elitën e futbollit austriak.
Ai ka luajtur 20 ndeshje këtë sezon, ku ka edhe një asistim për ekipin e tij, ndërsa vlera e tij aktuale është 500 mijë euro.

Demaku po ashtu ka luajtur në të gjitha grupmoshat e Austrisë nga U15 deri në U21, ku ka 45 ndeshje dhe dy gola.
Ai pritet ta rrit konkurrencën para mbrojtjes, duke sjell kualitet te Dardanët në ndërprerjen e aksioneve.

Në tubim pritet të mungojë Edon Zhegrova i cili ka një dëmtim dhe do të kthehet në fushë në muajin prill, ndërsa pritet të kthehet pas dëmtimit Emir Sahiti