Theodora Bakoyannis është zgjedhur raportuese për anëtarësimin e Kosovës në KiE nga Komiteti për çështje politike dhe demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Ai po ashtu tha se Bakoyannis e bënë raportin gjithëpërfshirës konsultativ për komitetin për politikë dhe demokraci, i cili shkon në seancë plenare të asamblesë parlamentare të KiE-së për miratim.
“Dora është raportuese për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo e bënë raportin gjithëpërfshirës konsultativ për komitetin për politikë dhe demokraci, i cili shkon në seancë plenare të asamblesë parlamentare të KiE-së për miratim”, ka thënë Tahiri.
Duhet theksuar se Theodora Bakoyannis ka qenë ministre e Punëve të Jashtme të Greqisë, si gruaja e parë më pozitë të lartë në Greqi dhe ka një karrierë të bujshme politike, që e bëjnë njohëse të mirë të rrethanave në Ballkan.