Në një atmosferë shumë të bukur sportive, të enjten mbrëma në Karlskrona të Suedisë u zhvillua ndeshja e parë mes Suedisë dhe Kosovës. Hendbollistet suedeze kanë shënuar fitore me rezultat të thellë 51:16.
Nikoqirja ishte favorite e madhe dhe dëshmoi nivelin që e ka, në palestrën “Brinova Arena” të mbushur me shikues. Suedezet nisën furishëm duke krijuar herët epërsi bindëse. Më pas e kontrolluan ndeshjen deri në fund.
Lojtaret tona edhe përkundër angazhimit, vetëm në momente shfaqën lojë për të rivalizuar deri diku me vendaset.

Më efikasja te Kosova ishte Merlinda Qorraj me pesë gola. Katër i shënoi Mirela Gjikokaj e tri Mirjeta Bytyqi.
Ndeshja e kthimit është të dielën nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Suedia është bindshëm ekipi më cilësor që paraqitet në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror të këtij viti.
Në dy edicionet e fundit të Lojërave Olimpike, Suedia ishte në gjysmëfinale. Në Botërorin e vitit 2023 luajti po ashtu në gjysmëfinale, ndërsa në Euro 2024 u rendit e pesta.
Kombëtarja jonë në fazën e parë kualifikuese mposhti Belgjikën e Bosnjë-Hercegovinën, por nuk kishte fat në short për fazën e dytë.