Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se edhe një sport do të përfshihet në programin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
KOK-u ka bërë me dije se futsalli do të përfshihet në programin e këtij eventi, përcjellë “Gazeta Express”.
Ky vendim është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, në një mbledhje të mbajtur në Ljubjanë.
“Sporti i futsallit do të jetë pjesë e programit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), në mbledhjen e mbajtur në Ljubljanë të Sllovenisë”, thuhet në postimin e KOK-ut.
Ndërkohë, edhe ICMG ka bërë me dije arsyen e marrjes së këtij vendimi.
“Pas diskutimeve produktive me FIFA-n, ICMG ka konfirmuar përfshirjen e futsallit si për meshkuj, ashtu edhe për femra, në programin zyrtar të sporteve të LM që do të mbahen në Prishtinë në vitin 2030. Futsalli do të zëvendësojë zyrtarisht futbollin U21”, thuhet në vendimin e ICMG.