Millosh Antoviq, i cili u arrestua para tri ditësh, po dyshohet për disa vepra penale.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Millosh Antoviqit, të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar, duke i caktuar atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Antoviq dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal që ushtroi dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gjatë një incidenti ku mbetën të lënduar të paktën 30 ushtarë, prej të cilëve disa humbën këmbët si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit dhe mjeteve të rrezikshme.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, këto veprime ndodhën më 29 maj 2023 në perimetrin e objektit të Komunës së Zveçanit.
Për këto veprime, Antoviq dyshohet për kryerjen e disa veprave penale, përkatësisht:“Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, si dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
ërveç këtyre, Antoviq dyshohet edhe për përfshirje në veprimtari të lidhura me narkotikë. Më 15 prill 2025, në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar një sasi e dyshuar substance narkotike, që tejkalon 900 gramë
Në të njëjtën ditë, Policia e Kosovës i ka sekuestruar edhe një armë të gjatë, për të cilën nuk posedonte autorizim.
Për këto raste, ai dyshohet edhe për veprat penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”