Në seancën fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Princ Valentino Corleone, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për shitblerje të narkotikëve.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Corleone e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dulina Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”
Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Kuçi e njoftoi të akuzuarin për të drejtën e tij për paraqitjen e kundërshtimit të provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës të ngritur më 29 qershor 2023, i pandehuri Princ Valentino Corleone akuzohet se pa autorizim ka poseduar substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope, analoge, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ashtu që më 17 mars 2023, rreth orës 20:30 në fshatin Çagllavicë- Komuna e Prishtinës, derisa ishte në një motel në shoqëri të dy vajzave, i pandehuri Princ Valentino Corleone e ka kontaktuar një vajzë tjetër, duke i thënë “hajde me e ngreh ndonjë vi kokë”.
Aktakuza thotë se vajza në fjalë më pas kishte shkuar dhe i pandehuri ia kishte dhënë një sasi kokaine për ta konsumuar. Kokainë kishte konsumuar ajo dhe njëra prej dy vajzave që kishin qenë fillimisht me të. Kurse, gjatë kontrollit nga ana e Policisë, të pandehurit Corleone i janë gjetur një dozë dhe një qese me substancë narkotike të llojit kokainë me peshë të përgjithshme prej 0.39 gramë.
Me këtë, Princ Valentino Corleone po akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par. 1 të Kodit Penal