Inter u rikthye në fushën stërvitore të premten, pas humbjes 3-0 ndaj rivalëve të Milanit në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë, ndërsa trajneri Simone Inzaghi dhe skuadra e tij e kanë zhvendosur fokusin te gara për titullin në Serie A, përpara ndeshjes ndaj Romës këtë të diel.
Ëndrrat e zikaltërve për një tripletë historike u shuan pas eliminimit nga Milani me rezultat të përgjithshëm 4-1, ku përfshihet edhe humbja 3-0 në ndeshjen e kthimit në “San Siro”, e cilësuar nga “La Gazzetta dello Sport” si 90 minutëshi më i dobët i Interit këtë sezon.
Megjithë këtë dështim, Inzaghi i lejoi skuadrës një ditë pushim të enjten për t’u rikuperuar. Inter ndodhet ende në krye të renditjes së Serie A me pesë ndeshje të mbetura, por është në barazi pikësh me Napolin. Në rast se dy skuadra e përfundojnë sezonin me pikë të barabarta, titulli do të vendoset përmes një ndeshjeje “play-off”.
Skuadra u rikthye në stërvitje të premten rreth orës 11:45 me orën lokale. Sipas *Calciomercato.com*, Inzaghi mblodhi lojtarët në rrethin qendror të fushës për një bisedë motivuese, gjatë së cilës ngriti zërin për të kërkuar më shumë përqendrim dhe përkushtim në prag të ndeshjeve vendimtare në kampionat dhe Champions League.
Në aspektin pozitiv, Piotr Zielinski dhe Denzel Dumfries u rikthyen në stërvitje dhe janë në garë për të luajtur ndaj Romës. Sa i përket sulmit, Marko Arnautovic është kandidati kryesor për të formuar dyshe me Lautaro Martínez, pasi Marcus Thuram vijon të jetë i dëmtuar, por synon të rikthehet ndaj Barcelonës të mërkurën.