Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka deklaruar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se me 557 mijë e 277 euro ka hyrë në fushatën e saj politike në zgjedhjet parlamentare të datës 09.02.2025.
Mirëpo, sipas deklarimit të PDK-së, këto të hyra nuk dolën mjaftueshëm për t’i paguar të gjitha shpenzimet e fushatës, pasi ka shpenzuar 375 mijë e 686 euro më shumë.
Pra, PDK gjithsej shpenzoi 932,964.39 euro për fushatën e saj politike, sipas të dhënave të pa audituara që i ka prezantuar në deklarimin financiar të dorëzuar para KQZ-së.
Partia e udhëhequr nga Memli Krasniqi ka deklaruar se ka përfituar 228 mijë e 14 euro nga donacionet dhe kontributet në të holla.
Sipas raportit të PDK-së, del që kjo parti nuk ka shpenzuar asnjë cent për paga dhe kompenzime e as për pagesa të vëzhguesve.
Po ashtu, PDK ka deklaruar se nuk ka shpenzuar asnjë cent për shpenzime të transportit, karburante dhe mirëmbajtje e sigurim të veturave.
Por, PDK ka shpenzuar 459 mijë e 200 euro për reklama, reprezentacion dhe konferenca.
Ndërsa, 473 mijë e 763 euro i ka deklaruar si shpenzimet e përgjithshme.


Raportin e plotë të deklarimit financiar për të hyrat dhe shpenzimet e PDK-së në fushatën politike e gjeni në këtë LINK.
Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 mandate në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë. Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë. Një ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 deputetët e tjerë do të jenë nga komunitetet e tjera joshumicë, transmeton Kallxo.com.
Mirëpo, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet edhe në përpjekjen e nëntë, më 01.05.2025. Ndryshe nga herët e kaluara, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet me votim të fshehtë.
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit është caktuar të mbahet (nesër) me 03.05.2025, ora 10:00.