Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se nuk sheh arsye për t’u takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të diskutuar për bashkëqeverisje.
Abdixhiku propozoi një qeveri të tranzicionit, ndërsa bëri thirrje për “një momentum të ri politik”, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike për gjetjen e zgjidhjes.
“Nuk shoh arsye të kemi takim, por jam i gatshëm t’i kemi edhe liderët tjerë”, tha ai, duke folur për propozimin e LDK-së.
Abdixhiku tha se i ka njoftuar të gjithë liderët e partive politike shqiptare për këtë ide dhe se tashmë ka marrë një përgjigje pozitive nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kreu i LDK-së e konsideron të “domosdoshme” këtë, që ai e quajti “një proces të ri politik”.
“LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi, fillimisht konsultativ me të gjitha partitë”, tha ai.
Abdixhiku tha se “uniteti në periudhë të caktuar i shërben edhe emancipimit shoqëror”.
“I shërben edhe shërimit të polarizimit për të cilin është fajtor z.Kurti personalisht, por edhe i jep një orientim të mbarë për Republikën e Kosovës”, tha ai