Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në tryezën për krijimin e një qeverie tranzicioni që përfshin Lëvizjen Vetëvendosje, duke i referuar përpjekjeve të tjera të partive opozitare për të negociuar me Albin Kurtin.
“[A merr pjesë AAK-ja në një tryezë për krijimin e një qeveri tranzicioni ku është edhe VV-ja?] Jo, po aty opozita atëherë përfaqësohet prej atyre që veçse kanë bërë takime me VV-në, si rasti i PDK-së, LDK-ja nuk ka pasur takim por kanë komunikuar me letra. Ne jemi përfaqësuar përmes tyre, ne vet nuk marrim pjesë, ne e kemi sqaruar pozicionin tonë. Po ashtu siç kemi mendim se çfarë bëjnë ata tjerët, nuk i ndalojmë kolegët tjerë të opozitës që t’i konsumojnë këto mundësi”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai gjithashtu ka theksuar se AAK-ja nuk është dakord me nxitimin e Kurtit për të shpallur veten kryeministër pa marrë akoma përgjigje nga LDK-ja pas letrës së dërguar për koalicion.
“Unë nuk po shoh që ka shumë perspektiv, është më se e qartë që Albini ende pa marrë përgjigjen e LDK-së thoshte unë jam kryeministri, në rregull ti mos thuaj prit njëherë çfarë thonë këta që u ke dërguar një letër, pra ishte i palogjikshëm nxitimi ashtu”, ka theksuar ai.
Haradinaj ka shtuar se, përkundër kësaj, AAK-ja është e hapur për komunikim me opozitën dhe mbështet bashkëpunimin opozitar, por pa krijuar “ura” me VV-në.
“Ne me opozitën mund të kemi më shumë komunikim, ta zëmë nuk humb asgjë LDK nëse komunikon më shumë me PDK-në, se jemi opozitarë në bazë të detyrës, sikur të kishim qenë në opozitë me VV-në do të ishte e logjikshme me komuniku me ta. Jam për të mos u mbyllur dyert, përpos gatishmërisë tonë që mos me kriju ura me VV-në, ne jemi të interesuar me bashkëpunim opozitarë”, ka deklaruar Haradinaj