Drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka thënë se në Kosovë po zhvillohet luftë hibride serbe më së shumti përmes dezinformimit, duke përmendur rastin e sotëm të lëndimit të një protestuesi serb në Graçanicë, i cili mori lëndime duke qëlluar me shqelm një veturë.
Musliu ka thënë se rrjetet sociale dhe, veçmas ato ruse, si telegrami, po përdoren për ta nxitur sa më shumë qytetarin serb në Kosovë që të përfshihet në zhvillime kaotike.
“Lufta hibride serbe në Kosovë zhvillohet më së shumti përmes dezinformimit. Kohën e fundit, rrjetet sociale dhe, veçmas ato ruse, si telegrami, po përdoren për ta nxitur sa më shumë qytetarin serb në Kosovë që të përfshihet në zhvillime kaotike”, ka shkruar Muliu në Facebook,
Eksperti i sigurisë, Musliu tha e “një shembull i tillë ka ndodhur sot pas protestës së serbëve në Graçanicë, ku u tregua vetëm pjesa e parë e kësaj videoje, ku gjoja një protestues serb u lëndua nga përleshjet me Policinë e Kosovës”.
“E vërteta (siç shihet në pjesën e dytë të videos), është se protestuesi serb kishte lënduar këmbën duke goditur një makinë që po kalonte aty afër, e cila pandehet se ka qenë e Policisë se Kosovës, ose makinë e civilëve”, tha Musliu.
Ndryshe, pas arrestimit të serbit Dragisha Milenkoviq, i cili dyshohet për krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998- 1999), disa qytetarë të komunitetit serbë janë mbledhur sot (e mërkurë) për të shprehur pakënaqësinë e tyre për arrestimin e sotëm të tij në qendër të Graçanicës.
Me këtë rast rruga kryesore Prishtinë-Gjilan u bllokua nga serbët, të cilët u mblodhën për të protestuar kundër këtij arrestimi.