Një debat mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, dhe asaj të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, është zhvilluar lidhur me idenë për formimin e një qeverie tranzicionale – ide kjo e LDK-së.
Debati nisi pas një postimi të Bashës në Facebook, ku ai vuri në pikëpyetje arsyet pse LDK-ja, sipas tij, po insiston që qeveria tranzicionale të përfshijë patjetër edhe Partinë Demokratike të Kosovës.
“Hykmetja po vazhdon ta mbrojë idenë e një ‘qeverie tranzicionale’ si të vetmen alternativë! Hykmete, pse nuk e menduat një ide vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje, duke marrë parasysh që së bashku kemi 68 deputetë? A ka mundësi me shpjegu pse patjetër duhej të përfshihej PDK-ja? Pse s’po mundeni pa ta Hykmete?”, ka shkruar Basha.
Në një reagim të drejtpërdrejtë gjatë emisionit Debat Plus, Hykmete Bajrami me ironi i është përgjigjur se pse nuk bëjnë koalicion me VV-në.
“Sepse jemi ‘hajvanë’ për ta. Pyete Dimalin, pse duhet me bërë LVV-ja koalicion me ‘hajvanat’”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka akuzuar Qeverinë Kurti në detyrë për mungesë të plotë bashkëpunimi me opozitën gjatë mandatit katërvjeçar, duke thënë se nuk është pranuar asnjë propozim nga partitë opozitare.
Bajrami ka theksuar se deklaratat e Kurtit vetëm e kanë thelluar hendekun mes LDK-së dhe LVV-së.
“Kurti nuk ka lënë hapësirë për një shteg të bashkëpunimit me asnjë parti politike. Për herë të parë në histori të Kuvendit, ka shkuar komplet mandati pa e marrë Qeveria e Kosovës as edhe një propozim nga opozita”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se vetëm një amendament i LDK-së ka kaluar gjatë katër viteve.
Bajrami ka kritikuar ashpër edhe mënyrën e qeverisjes dhe shfrytëzimin e buxhetit. Sipas saj, Qeveria ka përdorur fondet publike për të blerë vota dhe ka shkelur Kushtetutën për përfitime politike.
“Kanë shfrytëzuar buxhetin në mënyrën më brutale të mundshme, për të blerë vota. Edhe sot po shkelin nenin 72 të Kushtetutës, i cili e ndalon që një deputet të mbajë pozita ekzekutive”, ka theksuar Bajrami.
Ajo ka potencuar se ndonëse nuk kanë caktuar emra për kryetarin e ri të Kuvendit, insistimi i LDK-së ka qenë që ai të zgjidhet përmes marrëveshjes politike.