Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka hedhur poshtë kategorikisht çdo mundësi për një koalicion mes partisë që ai drejton dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ndarjet mes tyre janë thelbësore dhe të pakapërcyeshme.
Në Debat Plus, Krasniqi tha se përgjigjja e shkurtër për një bashkëpunim të tillë është “JO”.
Ai theksoi se ndarja mes PDK-së dhe VV-së nuk është thjesht personale, por ideologjike dhe konceptuale, duke përfshirë qasjen ndaj të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së vendit.
“Përgjigja e shkurt është JO. Përgjigja e gjatë pastaj varet sa kemi kohë në emisionin. Sepse hendeku mes neve dhe VV-së është jashtëzakonisht i madh. Jo në kuptimin individual, personal. Ato po i abstragojmë për një moment. Por në kuptimin edhe qysh e shohim të kaluarën, tashmen e të ardhmen”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi shtoi se nuk është një politikan utilitarist dhe nuk do të ndërmerrte veprime që bien ndesh me karakterin dhe parimet e partisë që udhëheq.
“Përveç edhe dallim ideologjik, në kuptimin qysh e shohim vendin, perspektivën e Kosovës, çka mendojmë sektorin privat, për qeverinë… dhe nuk shoh asnjë lloj mundësi, çfarëdo ekipe me angazhu, shpeshherë në të kaluarën kur kam qenë nënkryetar i PDK-së, i përshirë në programet qeveritare, unë nuk e di çfarë ekipe.
Krejt po i imagjinoj me ardh te një program qeverisës, unë nuk jam utilitarist si karakter politik. Dhe mendoj që nuk duhet me bërë veprime jashtë karakterit të partisë që e udhëheqi.
Mundësi për një koalicion mes PDK-së dhe VV-së në këtë kontekst në asnjë mënyrë nuk e shoh. Dhe nuk pres as e as nuk ka nevojë me na dërgu letër. Besoj që edhe zoti Kurti e di për dallimet mes neve”, ka shtuar Krasniqi