Kosova thotë se policët s’janë maltretuar, Serbia me akuza për të arrestuarit serbë: U rrahën rëndë

by informim

Për më shumë se një javë Serbia është duke i mbajtur në paraburgim tre policët e Kosovës të cilat forcat serbe i kanë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës. Siç tha para dy ditësh kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ata kishin qenë duke ngrënë drekën diku në afërsi të vijës kufitare me Serbinë në momentin e rrëmbimit. Pala kosovare tha se policët nuk janë maltretuar. Të kundërtën e thanë në Beograd për të arrestuarit serbë nga Policia e Kosovës duke pohuar se ata u rrahën rëndë,

Ndaj tyre tashmë është caktuar një muaj paraburgim, teksa brengë është trajtimi që po u bëhet atyre në burg nga autoritetet serbe.

Kryediplomatja Gërvalla në një konferencë për media pardje ka thënë se gardianët janë duke i trajtuar mirë, megjithatë sipas informatave që ia ka thënë shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ata kanë pasur ankesa për sasinë e bukës dhe për gjellë jo-cilësore.

“Nga momenti i shqiptimit të masës së zgjatjes së paraburgimit për 30 ditë, tre oficerët janë vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Kralevë. Ata janë të vendosur në dhoma të veçanta tek e tek, mirëpo nuk kanë qasje as në TV ose në ndonjë formë të mediave të shkruara ose tjera. Sipas tyre, trajtimi nga gardianët dhe stafi tjetër është korrekt, atyre u jepet ushqim në baza të rregullta ditore, edhe pse sipas njërit prej tyre cilësia është jo e mirë. Dje autoritetet e burgut iu kanë dhënë ndërresa të brendshme dhe aksesorë të higjienës, por Mustafa ka thënë se i mungojnë medikamentet bazike që i përdor rregullisht për gjendjen shëndetësore dhe kjo po ia vështirëson qëndrimin në burg. Përmes Jasharit dhe kontaktit me familjen e tij do të përpiqemi që të sigurojmë medikamentet për Mustafën”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media.

Ndërkohë presidenti serb, Aleksander Vuçiq pas takimit me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, ka folur lidhur me trajtimin që po iu bëhet 3 policëve të Kosovës në burg. Siç pretendon kreu i shtetit serb, atyre iu është dhënë të pinë “coca-cola” e të hanë kek e rrush.

“Atje pinë Coca-Cola, hanë kek dhe rrush, hanë dhe pinë mirë dhe nuk u mungon asgjë dhe ne jemi zuzar dhe të egër, sepse nëse nuk jemi nuk ka kuptim”, ka thënë Vuçiq.

Kreu i shtetit serb ka folur edhe lidhur me kërkesën e kryeministrit hungarez, që të shqyrtojë lirimin e 3 policëve të Kosovës. Vuçiq ka thënë se “do të shqyrtohet me kujdes dhe dashamirësi çdo propozim i Orbanit”.

Në ndërkohë, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq,  ka vazhduar edhe këto ditë që të jap deklarata se kinse Policia e Kosovës është dike e ndjekur për ta arrestuar një serb, që sipas tij është shok i Milun Milenkoviqit.

Por, kjo deklaratë është kundërshtuar nga gruaja  e njërit prej serbëve të Kosovës, Jelena Zhivkoviq. Ajo tha se Policia e Kosovës nuk e ka ndjekur për ta arrestuar burrin e saj, që është shok i Milun Milenkoviqit “Llune”.

“Burri im është shok i Milun Milenkoviqit, ata kanë themeluar një klub së bashku, janë trajnuar, por nuk është e vërtetë se e kanë ndjekur për ta arrestuar, siç ka thënë drejtoria e përgjithshme e Zyrës për Kosovë”, ka thënë ajo për portalin serb N1

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Beograd më 20 qershor, Petkoviq insistoi se pala kosovare i ka rrahur të arrestuarit serbë. Ai tha se një informacion të tillë e ka marrë nga oficeri ndërlidhës në Prishtinë, Dejan Paviqeviq, i cili ka vizituar gjashtë serbët e ndaluar në Kosovë.

“Të gjithë ata janë keqtrajtuar dhe rrahur rëndë nga policia e Kosovës, veçanërisht kur janë arrestuar dhe dërguar në qendrat e paraburgimit. Veçanërisht Dushan Obrenoviq dhe Milun Milenkoviq Lune kanë pësuar lëndime të rënda. Lune ka qepje në kokë, mavijosje nën sy dhe ai vetë. dëshmoi se ai ishte rrahur gjatë marrjes në pyetje derisa ishte i lidhur”, tha Petkoviq./

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy