Në një kohë kur teknologjia po e zbeh interesimin e të rinjve për trashëgiminë kulturore, një mësimdhënës në fshatin Kuk të Dragashit po e sfidon këtë tendencë me pasionin e tij për muzikën tradicionale shqiptare.
Krenar Vehebiu, mësimdhënës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Samidin Emini”, ka arritur të krijojë një ansambël instrumental me 34 nxënës nga klasat 6 deri në 9, të cilët luajnë me çifteli si artistë të vërtetë.
“Nxënësit e mi sot luajnë me çifteli si artistë të vërtetë – jo prej rastësie, por prej djersës dhe dashnisë që i kam dhanë këtij profesioni”, ka shkruar ai në një postim të ndjerë, duke nënvizuar përkushtimin dhe pasionin që e ka udhëhequr në këtë rrugëtim të rrallë edukativ.
Pavarësisht sfidave që vijnë nga mungesa e burimeve në një shkollë të vogël, Vehebiu ka treguar se dashuria për muzikën tradicionale dhe përkushtimi i tij arsimor mund të japin fryte të mëdha. Ai arriti të përgatisë nxënësit për të luajtur një instrument që kërkon përqendrim, ndjeshmëri artistike dhe disiplinë – çiftelinë.
Nisma e tij është më shumë se një aktivitet shkollor: është një kontribut i çmuar për ruajtjen e identitetit kulturor kombëtar dhe një inspirim për mësimdhënësit në gjithë Kosovën. Brezat që mësojnë çiftelinë sot, falë Krenar Vehebiut, do të jenë nesër bartës të vlerave autentike shqiptare.