Presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit është shtuar për shkak të ofensivës së re ushtarake në Gaza, e cila ka lënë qindra të vdekur vetëm gjatë ditëve të fundit, si dhe për shkak të bllokadës humanitare.
Sipas mediave të huaja, liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Kanadasë e kanë kërcënuar Izraelin me “veprime konkrete”, përfshirë sanksione, nëse nuk e ndalon ofensivën e rinisur ushtarake dhe vazhdon të bllokojë hyrjen e ndihmave në Gaza.
Kujtojmë se Izraeli ka thënë se do të lejojë një “sasi bazë ushqimi” të hyjë në enklavën e rrethuar – një veprim që Kryeministri Benjamin Netanyahu e pranoi se u bë për shkak të presionit të fortë nga aleatët. Megjithatë, shefi i ndihmave të OKB-së, Tom Fletcher, e përshkroi ndihmën si “të kufizuar” dhe një “pikë në oqean nga ajo që nevojitet urgjentisht,” duke thënë se “rreth 14,000 foshnje janë në rrezik për jetë”.
Izraeli nisi një ofensivë të re shkatërruese tokësore në Gaza gjatë fundjavës, pikërisht pas largimit të presidentit amerikan Donald Trump nga vendet e Gjirit, pa arritur ndonjë marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit ushtria izraelite ka deklaruar se forcat e saj janë futur edhe në veri dhe jug të Gazës, si pjesë e operacionit “Karrocat e Gedeonit”, të cilin Izraeli e kishte paralajmëruar nëse Hamasi nuk pranonte një marrëveshje të re për pengjet sipas kushteve izraelite.
Operacioni tokësor u pasua nga disa ditë bombardimesh të rënda ajrore mbi Rripin e Gazës, të cilat sipas autoriteteve shëndetësore atje, kanë zhdukur familje të tëra.
Këto zhvillime vijnë pasi Hamasi dhe Izraeli kanë nisur bisedime jo të drejtpërdrejta në kryeqytetin e Katarit, Doha, të cilat deri më tani duket se nuk po dhënë rezultate