Kompania e ujësjellësit “Ibër-Lepenc” ka hyrë në objektin e Kryqit të Kuq në Liqenin e Ujmanit me ndihmën e Policisë së Kosovës sot në veri të vendit.
Për këtë ngjarje ka reaguar partia kryesore e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, e cila tha se do të kërkojë një takim urgjent me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
“Për shkak të kësaj, si dhe veprimeve të shumta të mëparshme të njëanshme dhe të dhunshme të institucioneve të Kosovës, Lista Srpska do të kërkojë takim urgjent me ambasadat e shteteve të QUINT-it në Mitrovicën e Veriut, për të vënë në dukje drejtpërdrejt kërcënimin ndaj të drejtave themelore të popullit serb, sigurinë në terren dhe funksionimin e shërbimeve humanitare dhe shëndetësore”, tha kjo parti.
Srpska, siç bën zakonshëm, ka akuzuar Policinë e Kosovës për bastisje brutale të një objekti që “i përket Kryqit të Kuq të Kosovës, me urdhër të Albin Kurtit, me të cilin autoritetet kosovare jo vetëm që e morën objektin me dhunë, por rrezikuan edhe punën dhe mandatin e një prej organizatave humanitare më të vjetra dhe më të rëndësishme në botë”.
“I kujtojmë publikut se Kryqi i Kuq është një organizatë humanitare mbikombëtare dhe neutrale që vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventat e Gjenevës, të cilat i detyrojnë të gjitha palët të respektojnë statusin, paanshmërinë dhe misionin e tij. Sulmi në objektin e këtij institucioni përbën shkelje të rëndë të të gjitha konventave ndërkombëtare përkatëse”, ka thënë kjo parti, duke listuar disa prej këtyre shkeljeve të pretenduara
“Kryqi i Kuq i Kosovës është një organizatë legale e njohur si pjesë e plotë e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili gjatë viteve të veprimtarisë së tij ka bashkuar të gjitha komunitetet dhe me vetëmohim ka ofruar ndihmë për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve – serb, shqiptar, rom, boshnjak e të tjerë. Puna e tyre është simbol i humanizmit, i solidaritetit dhe i bashkëpunimit, pikërisht në një mjedis ku nevojitet më shumë”.
‘Përveç kësaj, kjo organizatë punon në mënyrë aktive në edukimin dhe trajnimin e të rinjve, kryesisht përmes programeve të ndihmës së parë dhe përgatitjes ndaj fatkeqësive, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe më humane”.
“Veçanërisht shqetësues është fakti se veprime të tilla kërcënojnë drejtpërdrejt funksionimin e sistemit të dhurimit vullnetar të gjakut, i cili prej shumë vitesh organizohet nga Kryqi i Kuq i Kosovës. Falë punës së tij, furnizohet me gjak objektet shëndetësore në Mitrovicë të Kosovës, Graçanicë dhe Pasjanë. Duke sulmuar këtë institucion vihet në pikëpyetje stabiliteti i sistemit shëndetësor dhe siguria e pacientëve që varen nga furnizimi i rregullt me gjak”.